E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët në protestë: Duam mbikalim

 

RRESHEN - Mbi 2 dy orë qindra banorë të fshatit Ndërfushas në afërsi të Rrëshenit bllokuan dje punimet në autostradën Durrës-Kukës. Sipas banorëve, me ndërtimin e rrugës së re, rreth 1 mijë vetë rrezikojnë të izolohen plotësisht. Banorët e drejtuar nga drejtuesit lokalë të fshatit u mblodhën në vendin ku po punonin makineritë. Ata kërkojnë ndërtimin e një mbikalimi, i cili do të mundësojë lidhjen e tyre me pjesën tjetër të autostradës. Në vendngjarje mbërriti dje dhe kryebashkiaku i Rrëshenit, Gjon Dedaj, i cili ka biseduar gjatë me banorët për kërkesat e tyre. Pas disa negociatash me kryebashkiakun banorët janë tërhequr nga rruga, pas premtimit të tij se do të kontaktonte me firmën për të marrë një përgjigje. Banorët pohuan se do të dalin sërish në rrugë, nëse strukturat përgjegjëse nuk do të fusin në projekt dhe një mbikalim.                 r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›