E Shtunë, 31 Tetor 2026

ZQRPP Nis regjistrimi ne zonen e Unazes se Re ne Durres

Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZQRPP) njofton se ka filluar Afishimi Publik i Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme për Zonën Kadastrale Nr. 8511, të qytetit të Durrës, që përfshin Lagjen 16, Unaza e Re dhe kryqëzimi me Rrugën "Niko Kazanxhi". Periudha e Afishimit Publik do të vazhdojë 45 ditë kalendarike.

ZQRPP i bën apel të gjitha subjekteve private dhe shtetërore, që kanë të drejta pronësie ose të drejta të tjera reale mbi pasuritë e paluajtshme në Zonën Kadastrale Nr. 8511, të verifikojnë Regjistrimin Fillestar të pasurive të tyre.

Në këtë fazë të këtij procesi, është e rëndësishme bashkëpunimi i ngushtë i të gjithë personave, që kanë të drejtë mbi pasurinë, me ekspertët, duke verifikuar të dhënat në listat e afishuara.

Në rast se gjatë kësaj faze konstatohen mangësi në informacionin e afishuar, atëherë pronari, si dhe personat që kanë interesa të tjera mbi pasurinë, duhet të bëjë plotësimet e nevojshme dhe t’i paraqesë vetë ato, brenda afatit të afishimit publik, në ambientin e afishimit, pranë specialistëve të ngarkuar me këtë detyrë ne zyren Vendore te Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës.

Qeveria Shqiptare ka iniciuar Projektin e Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës (LAMP-A2.2/TS/FR/ICB-01). Si pjesë e këtij projekti, në Shqipëri po ndërtohet Sistemi i Ri i Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bazuar në Ligjin Nr. 7843, i datës 13. 07. 1994 "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme" (i ndryshuar).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›