E Martë, 3 Nëntor 2026

Zaçaj: Pavarësia e gjyqësorit, thelbësore. Kritikat ndaj gjykatës, të mos kthehen në sulme

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ka deklaruar se Kushtetuta prej 25 vitesh është streha e përbashkët që garanton shtetin e së drejtës dhe të drejtat njerëzore.

Në fjalën e saj në seancën solemne për 25-vjetorin e Kushtetutës, Holta Zaçaj vuri theksin te pavarësia e drejtësisë. Ajo dha dhe një mesazh ndaj politikanëve, duke thënë se kritikat ndaj gjykatave dhe gjyqtarëve të mos i kthejnë në sulme dhe mjete presione.

“Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është sjellja e duhur, e nevojshme dhe e vetme për të zbatuar Kushtetutën. Kritikat ndaj gjykatës dhe gjyqtarëve të saj janë indikator i lirisë së shprehjes, por deri në atë masë që nuk kthehen në sulm dhe mjet presioni ndaj tyre.

Mos të harrojmë, pushteti gjyqësor mund të luajë rolin e tij kushtetues vetëm nëse është i pavarur”, tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.

Kjo e fundit e konsideroi Kushtetutën si një vepër madhore të shtetformimit.

“Kushtetuta, vepër madhore e shtetformimit tonë. Kushtetuta prej 25 vitesh është streha jonë e përbashkët që garanton shtetin e së drejtës dhe të drejtat tonë njerëzore. Kushtetuta përfaqëson referencën themelore  dhe njësinë matëse për të verifikuar mënyrën e ushtrimit të pushteteve dhe mbrojtjen e respektimin e të drejtave themelore.

Ajo është kryefjala e diskursit tonë të përditshëm”, tha ajo.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›