Zaganjori: Do bashkëpunoj me opozitën edhe pse nuk më votoi
Ditët e para i ka nisur me intensitet të lartë pune. Mbi tavolinë ka nisur të shfletojë plot dosje me problematika të ndryshme, ndërkohë që jashtë derës së zyrës e presin shumë njerëz, të cilët kërkojnë takim me të. Xhezair Zaganjori, kreu i ri i Gjykatës së Lartë tregon për ”Gazeta Shqiptare” angazhimin e ri në krye të piramidës së gjyqësorit shqiptar, si e priti dekretin e Presidentit të Republikës, refuzimin e opozitës për ta votuar në Kuvend, prioritet dhe sfidat që e presin përgjatë mandatit të tij. Ish-kandidati për president një vit më parë, tashmë kryetar i Gjykatës së Lartë ndjen keqardhje për mosvotimin nga opozita ndërsa nuk fsheh faktin se pretendonte të merrte sa më shumë vota ditën e votimit në sallën e parlamentit. Por z. Zaganjori thotë se mungesa e votave të opozitës në Kuvend nuk do të thotë paragjykim i punës së tij ndër vite në drejtësi, por një çështje politike, që nuk ka të bëjë me kreun e ri të Gjykatës së Lartë.
Z. Kryetar, e keni nisur të mbarë fillimin e punës në krye të Gjykatës së Lartë, për të mos thënë se është gjysma e punës?
Po, puna ime në krye të Gjykatës së Lartë ka nisur me intensitet të lartë, ndonëse është fillimi dhe besoj vërtetë të jetë fillim i mbarë. Madje tani që po flasim bashkë përveç të tjerash, janë shumë njerëz që presin të më takojnë për shqetësimet e tyre.
Si e pritët propozimin e Presidentit Nishani për kryetar të Gjykatës së Lartë?
Është nder dhe kënaqësi që z.President ma besoi këtë detyrë të lartë, por njëherësh është edhe përgjegjësi shumë e madhe, sepse Gjykata e Lartë është maja e sistemit gjyqësor në vend. Ndaj gjykoj se edhe angazhimi duhet të jetë edhe më i madh dhe shpresoj ta arrij këtë edhe për vetë mënyrën sesi organizohet një gjyqësor brenda një shteti demokratik.
Cilat janë synimet kryesore dhe sfidat tuaja në krye të kësaj gjykate?
Prioriteti im kryesor do të jetë konsolidimi i forcimit të pavarësisë së gjyqësorit në vend. Gjithashtu synoj një bashkëpunim ndërinstitucional me ekzekutivin, parlamentin, për një efikasitet më të lartë në detyrën që më është besuar. Mendoj se edhe për sistemin e gjyqësorit, sidomos për Gjykatën e Lartë, e cila është maja e tij, është i rëndësishëm dialogu mes të gjitha palëve.
Ky bashkëpunim përfshin edhe opozitën që nuk ju votoi në Kuvend?
Sigurisht që përfshin edhe opozitën, sepse vetë opozita është një institucion i rëndësishëm dhe nuk do të jetë e përjashtuar nga bashkëpunimi dhe dialogu. Opozita ka zërin e saj, ndaj kur flas për bashkëpunim kam parasysh edhe atë me opozitën, institucionin e saj, sepse një shtet demokratik funksionon mbi bazën e dialogut dhe bashkëpunimit. Po ashtu prioritet i punës sime do të jetë edhe transparenca, pse jo rritjen e transparencës ndaj mediave, një bashkëpunim me të në funksion të transparencës, e cila do t’i shërbejë jo vetëm shtetit por vetë qytetarëve shqiptarë.
Ju vjen keq që nuk u votuat nga opozita?
Sigurisht që më vjen keq. Kushdo pretendon që të marrë sa më shumë vota, shtuar këtu faktin se bëhet fjalë për një institucion të rëndësishëm, siç është drejtimi i Gjykatës së Lartë.
Atëherë pse refuzoi opozita kryesimin nga ju të kësaj gjykate?
Nuk besoj që opozita ka paragjykuar punën time, nuk dua ta besoj këtë dhe nuk besoj se kjo ishte arsye që nuk më mbështeti me votë në Kuvend. Kam bindjen se vendimi i saj duke refuzuar emrin tim është çështje politike dhe nuk ka të bëjë me mua. Kjo është një zgjedhje e opozitës dhe nuk më takon të merrem me vendimet politike. Çështjet politike i zgjidhin vetë ata dhe unë tashmë kam një mandat si kryetar i Gjykatës së Lartë, që do të angazhohem për ta përmbushur sa më mirë.
Cila është garancia që i dhatë Presidentit të Republikës gjatë prezantimit tuaj në krye të Gjykatës se Lartë?
E kam shprehur dhe ditën e prezantimit, unë e garantova Presidentin e Republikës dhe parlamentin në emër edhe të gjithë trupës gjyqësore se në vijimësi kjo gjykatë dhe anëtarët e saj do të rrisin profesionalizimin në shërbim të rritjes së shpejtësisë së gjykimit të çështjeve, në mënyrë që përfituesi kryesor të jetë vërtetë shteti shqiptar, forcimi i demokracisë shqiptare, por në radhë të parë të jetë qytetari shqiptar.
A keni një model, të cilit do t’i referoheni përgjatë mandatit tuaj si kryetar i Gjykatës së Lartë?
Vendi ynë në kuadër të integrimit të strukturave europiane ka nevojë të ndjekë modelet e vendeve me demokraci të zhvilluar si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe atyre perëndimore, të cilat falë bashkëpunimit me pushtetin legjislativ, ekzekutiv por dhe median si dhe falë profesionalizimit, integritetit dhe përkushtimit kanë arritur të kenë një gjyqësor, i cili është kolonë e rëndësishme brenda një shteti demokratik.
Dhe kujt i referoheni në këtë rast?
Për këtë i referohem parimit kushtetues, që qëndron në themel të pushtetit shtetëror në çdo vend demokratik, parimit të ndarjes së pushteteve. Në kuadër të ruajtjes së vlerave të demokracisë si formë qeverisjeje dhe mbi të gjitha, mbrojtjes së interesave të qytetarëve, Shqipëria e cila ndodhet përballë sfidave të mëdha, ndër më thelbësoret ka atë të konsolidimit të shtetit të së drejtës.
Cili është pushteti ligjor që ka Gjykata e Lartë?
Gjykata e Lartë qëndron në krye të piramidës së pushtetit gjyqësor, ka një sërë detyrimesh të rëndësishme si rritjen e transparencës, pavarësisë, performancës dhe përgjegjësisë funksionale, në mënyrë që ky pushtet të vijë duke u forcuar dhe konsoliduar për të mbushur me sukses rolin dhe misionin e dhënies së drejtësisë, të udhëhequr nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe ligjet në fuqi, gjithmonë në funksion të garantimit të një jete më të mirë, më të sigurtë për qytetarët.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)