Zaganjori: Me Berishën nuk kam marrëdhënie personale
Një koalicion më ka dhënë besimin duke më propozuar. Nuk është bërë zyrtarisht propozimi për disa arsye, pasi kërkohet konsensusi dhe në kuadër të këtij synimi, unë u takova me kryetarin e opozitës. Sigurisht, nuk i kërkova që të më japë mua votat, pasi kjo është një çështje politike
Nuk kam asnjë lloj marrëdhënieje personale me zotin Berisha. Ai është Kryeministri i vendit dhe në këtë detyrë unë e vlerësoj si edhe në shumë drejtime si ish-President i Republikës në kohën që ka qenë president
Intervistë
Ramën e kam njohur prej 20 vitesh, nuk u kërkova votën
Muhamed Veliu
Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori, në një intervistë për Top Channel, kur pritet të jetë një kandidaturë zyrtare për të qenë President i Republikës flet për marrëdhëniet e tij me drejtuesit kryesorë të mazhorancës dhe akuzat që i janë bërë. Zaganjori thekson se ai nuk ka marrëdhënie personale me Kryeministrin Berisha dhe se ka qenë udhëheqësi i temës së doktoraturës të Kryetares së Kuvendit, sepse kjo detyrë i është caktuar nga departamenti i të Drejtës Publike i Fakultetit Juridik. Madje, ai thekson se për dy herë rresht ia ka kthyer mbrapsht temën Kryetares së Kuvendit me vërejtje për punimin e saj. Nga ana tjetër, ai thekson se është krenar për punën e bërë në Kushtetuese për marrëveshjen e ujërave dhe se nuk ka qenë kurrë ekspert i Ministrisë së Punëve të Jashtme në lidhje me ndarjen e kufirit ujor me Greqinë.
Profesor Zaganjori, konsideroheni si kandidat për tu votuar nga Parlamenti për postin e Presidentit. Duket disi e pazakontë që një kandidat i propozuar të zhvillojë takime siç ishte ai me Edi Ramën dhe Shpëtim Idrizin. Çju shtyu ti zhvillonit këto takime?
Ju falënderoj për mundësinë e kësaj interviste për të cilën dua të them se kam të vështirë të jap intervistë, pasi jam anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Ka qenë nisma ime për tu takuar me kryetarin e opozitës, thjesht për të krijuar një atmosferë mirëkuptimi e për tu njohur nga afër me njëri-tjetrin. Ne kemi pasur një njohje përpara disi nga larg që njiheshim që prej vitesh, për më shumë se 20 vitesh. Sot bëmë një bisedim që e vlerësoj shumë. Ishte një bisedë shumë miqësore. Unë i fola për arsyet që më nxitën ta pranoj që nuk ka qenë një vendim i lehtë për tu marrë nga ana ime pasi u konsultova edhe me familjen, pasi për disa arsye unë hezitoja dhe i kam thënë arsyet në një rast tjetër, pasi posti është shumë i lartë dhe përgjegjësia shumë e madhe. Takimi që kisha me zotin Shpëtim Idrizi, i vetmi që nuk e kisha takuar si drejtuesi një prej partive të koalicionit qeverisës, u zhvillua sepse edhe me të nuk kisha fare njohje, nuk e kam takuar asnjëherë thjesht biseduam me të në tërësi, pimë një kafe dhe kaq. Mendoj që në kushte normale, roli kryetarit të shtetit duhet të jetë në duart e një politikani me përvojë. Megjithatë, unë e kam pranuar, tashmë nëse do të realizohet votimi për mua, do të bëj çështë më e mira që kam në dorë për të realizuar ato detyrime që ka Kushtetuta dhe ligji për ta merituar emrin si përfaqësues i unitetit të popullit dhe për të qenë zëdhënës i interesave të qytetarëve. Sigurisht, brenda mundësive për të ndikuar pozitivisht në jetën institucionale dhe politike të vendit. Aktorë janë shumë, e unë nuk kam një formulë apo shkop magjik. Nëse nuk bëhem President? Do të bëj atë punë me të cilën jam marrë gjithë jetën, me çështjet e drejtësisë.
A besoni se do të jeni kandidat për tu votuar në raundin e dytë?
Besoj se po. Kam përshtypjen se do të jem kandidat për tu votuar. Nuk është në dorën time. Një koalicion më ka dhënë besimin duke më propozuar. Nuk është bërë zyrtarisht propozimi për disa arsye, pasi kërkohet konsensusi dhe në kuadër të këtij synimi, unë u takova me kryetarin e opozitës. Sigurisht, nuk i kërkova që të më japë mua votat, pasi kjo është një çështje politike që ta bëjë vetë për interesat politike, me të drejtat që ka opozita më e madhe në vend për tu përfshirë në një proces që e gjykon vetë kryetari i kësaj force politike, bashkë me kryesinë, apo dhe me njerëzit që ka përreth dhe nuk është problemi im. Unë thjesht u prezantova me të dhe e garantova që nëse do të bëhem kryetar i shtetit, do të jem ai që kam qenë gjithmonë për të respektuar ligjin dhe Kushtetutën dhe për të bërë atë që gjykoj do të jetë më e mira në situata konkrete.
Jeni akuzuar se keni shkelur Kushtetutën duke qëndruar në detyrë me mandat të mbaruar. Si u përgjigjeni këtyre akuzave?
Shumë shkurt. Ata thonë që unë kam shkelur Kushtetutën duke ndenjur në detyrë, ndërsa unë i përgjigjem se po të iki nga detyra shkel Kushtetutën, sepse qartësisht neni 125 pika 5 e Kushtetutës thotë që gjyqtari kushtetues rri në detyrë derisa të zëvendësohet. Pra, unë e gjykoj si jurist që në ditën që unë do të ikja do të shkelja Kushtetutën. A mund të jap dorëheqjen unë apo kolegu tjetër në një kohë kur Parlamenti me Presidentin nuk merren vesh?. Atëherë bllokohet vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese. Ska më vendimmarrje. Nuk ka funksion të Gjykatës Kushtetuese. Për këtë arsye, përgjigjja është e thjeshtë, por në fakt po zgjatet ky proces. Unë nuk e ndiej veten absolutisht komod që të rri jashtë mandatit. E them me sinqeritetin më të madh se do të doja një orë e më parë që të realizohej kjo të zëvendësohesha dhe të ikja të vazhdoja jetën akademike ose një detyrë tjetër.
Profesor Zaganjori, në dijeninë time brenda opozitës ka një pakënaqësi ndaj kandidaturës tuaj që lidhet me 13 ankimimet e opozitës drejtuar Gjykatës Kushtetuese nga të cilat 11 janë rrëzuar prej trupit gjykues ku keni bërë pjesë edhe ju. Rastësi apo koincidencë refuzimi 11 ankimimeve të opozitës?
Pretendime ka shumë këto dy-tri ditë, të cilat i kam dëgjuar dhe nganjëherë më duken krejtësisht absurde. Unë tani nuk di të gjykoj sa vendime kam qenë pro apo kundra. Dua të siguroj për diçka se për çdo vendim kam vendosur lidhur në bazë të bindjes time si gjyqtar kushtetues për çështjen konkrete edhe kaq.
Pra nga nuk është rastësi 11 nga 13 vendime të jenë kundër opozitës?
Jo, këto shifra nuk duhet të jenë. Për shembull marr shkas nga ligji i nepotizmit për të cilin unë kam qenë për tu rrëzuar, pasi kanë qenë disa dispozita. Kam qenë pjesërisht vetëm për një dispozitë nuk kam qenë. Por për ligjin në tërësi kam qenë dhe për dispozita të caktuara. Unë kam qenë pro me shumicën. Ne kemi qenë unanim për ta rrëzuar ligjin. Përmendet fakti që unë kam qenë tek çështja e pezullimit thjesht që çështja të shkonte në seancë për të dëgjuar pretendimet e palëve siç veprojmë në çdo rast tjetër që pezullimi nuk mund të bëhet në mbledhjen e gjyqtarëve, mund të bëhet edhe atje, por e mira është që në seancë siç veprojmë gjithmonë dhe të njëjtën gjë kërkova atëherë.
Mund të na e sqaroni pozicionin tuaj në lidhje me çështjen e marrëveshjes së kufirit detar me Greqinë që u shqyrtua në Gjykatën Kushtetuese?
Është një pretendim absurd sikurse janë absurde edhe akuzat që bëhen. Është tjetër gjë fakti që për të legjitimuar kërkuesin që i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në rastin konkret jemi ndarë 5 me 4 lidhur me legjitimimin, sepse në asnjë vend të botës në asnjë sistem nuk legjitimohet ardhja e partive politike për të kontestuar një marrëveshje ndërkombëtare, sepse ka subjekte të tjera që mund të vijnë, që janë Presidenti i Republikës, janë deputetët, kryetari KLSH-së, Kryeministri pra janë një sërë subjektesh. U ndamë pra 5 me 4 për ta legjitimuar me mendimin që potencialisht, me këto argumente duke rr
