E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: Dy kushtet që duhet të plotësojë kandidati për president

Ylli Pata

Intervista

Avokati: Nëse Meta do të dominojë Saliun, të krijojë hapësirë të re

Spartak NgjelaAvokati është shumë i qartë dhe i dërgon një mesazh direkt Edi Ramës, për të përvijuar qëndrimin për kandidatin për presidentin e ri. Spartak Ngjela, një nga përfaqësuesit e lartë të opozitës shqiptare, në një intervistë për Shqip, thekson se dy janë kushtet që duhet të plotësojë kandidati i ri për president, të cilat, sipas tij, duhet të jenë të detyrueshme…

Zoti Ngjela, i kujt do të jetë Presidenti i ri i Republikës, i shumicës aktuale parlamentare? I një koalicioni me mbi 84 vota apo thjesht i shumicës që kryeson Kryeministri Berisha?

Mendoj se pyetja sot nuk ngrihet se i kujt do të jetë Presidenti, duke menduar një parti politike, por a do të kemi vërtet një president që do të plotësojë dy kushte? Dhe tani dihet se dy kushtet që i duhen vënë kësaj zgjedhjeje nga të gjithë janë këto: që ai duhet të mbrojë shtetin nga një mazhorancë agresive dhe nga një kryeministër që kërkon të pushtojë të gjithë shtetin institucionalisht. Ky është kushti i parë; kurse kushti i dytë është: presidenti i ri shqiptar duhet të këtë pranimin nga aleati ynë strategjik Uashingtoni dhe NATO. Nëse nuk plotësohen këto kushte, nuk do të keni një president, por një kukull që do të ndihmojë uzurpimin institucional. Nëse gjithkush mendon kështu, çështja është e zgjidhur. Por ja që Kryeministri shqiptar nuk e mendon kështu, sepse kërkon të pushtojë shtetin dhe të marrë për këtë rast edhe Shërbimin Informativ edhe Prokurorin e Përgjithshëm, edhe diplomacinë dhe të gjithë këtë ta hedhë kundër interesave të Shqipërisë. Të gjithë ata që nuk e shohin këtë, ose janë larva pa asnjë vlerë, ose janë njerëz që nuk iu intereson fare zhvillimi kombëtar dhe perspektiva perëndimore e Shqipërisë. Por unë mendoj se ai nuk do tia arrijë dot që të frenojë bashkimin e Shqipërisë me Europën.
Si e shihni procesin deri në raundin e dytë dhe më tej?

Ende nuk ka një proces. Kryeministri Sali bën përpjekjet e tij për të shkallmuar demokracinë. Se, në të kundërt, përse nuk i përmbahet dy kushteve që përmenda më lart? Që të fillojë procesin, do të thotë që të mendojë për konsensusin. Por a mund ta mendojë ai këtë? Kurrë. Asnjëherë mos prisni konsensus me të. Për këtë jam i sigurt. Por, këtë herë është presioni i politikës atlantike që e ka bërë që të krijojë lloj-lloj artificesh që nuk kanë lidhje me asgjë kombëtare dhe asgjë demokratike. Kandidati që ka nxjerrë në skenë është: ta hajë kush ta hajë. Domethënë, njëlloj si në regjimet totalitare që gjithçka e kishin false, të gjitha institucionet e të gjitha zgjedhjet individuale.
Çpërfaqëson për ju kandidatura e zotit Zaganjori dhe a e çmoni këtë zgjedhje si prurje e një përfaqësuesi nga jurisprudenca?

Nuk e njoh nga afër. Por, përderisa e pranoi këtë rol që i ul personalitetin, sigurisht që duhet të ketë mangësi në formimin e tij politik dhe sidomos historik. Shenja e parë që më dha se e kishte personalitetin të cenuar, ishte votimi kundër që bëri për shitjen hapësirave ujore kombëtare, që kishte bërë marrëveshja e detit me Greqinë. Si ka mundësi që të votosh për ti dhënë Greqisë 200 kilometra katrorë det? Ai qoftë. Kur të plasë realisht skandali, do ti duhet të justifikohet; dhe, njëherësh, mos ndoshta edhe për president e kanë nxjerrë ato forca që duan të grabisin Shqipërinë?
Si i vlerësoni takimet që kandidati Zaganjori po kryen me përfaqësues të lartë politikë dhe partiakë? Po për takimin me zotin Rama, ç’mendoni?

Iu thashë, nuk kam ndonjë mendim personal, por më lart shpreha ato që kam parë nga akti i fundit kur nuk votoi pro në Gjykatën Kushtetuese për të prishur marrëveshjen për detin midis qeverisë shqiptare dhe asaj greke. Takimi me Ramën ishte qesharak, sepse Rama e kishte shprehur mendimin për procesin. Ai, nëse nuk e kupton se është një kandidat presidencial që nuk ka dalë nga procesi, nuk do të kuptojë më pas edhe shumë gjëra të tjera. Rama mirë bëri që e priti, por qëndrimi i tij ishte fyes për Zaganjorin. Në fakt, nuk kishte rrugë tjetër për vetë Ramën.
Si e vlerësoni rolin prej negociatori apo interlokutori që zoti Meta ka ndërmarrë në këtë fushatë për presidentin e ri?

Është duke u rigrupuar politikisht. Siç duket, e ka kapur që, nëse do të arrijë të dominojë Saliun në këtë lojë politike që është interesi i Shqipërisë në një krah, por edhe i Uashingtonit dhe Brukselit në krahun tjetër, do të krijojë për veten një hapësirë të re politike. Në fund të fundit, kjo është politika: ka shumë raste, për të mos thënë gjithmonë kur, fiton më shumë kur ndreq gabimin, sesa humbet kur e ke bërë atë. Meta e ka këtë strukturë mendore për politikën. Megjithatë duhet të presim ngjarjet.
Flitet orëve të fundit për një takim Rama-Berisha. Do të realizohet ai? Nëse po, cili do të jetë rezultati sipas jush?

Rama mirë bën që e kërkon, por, për faktin që Berisha i shmanget, kërkon që të vjedhë presidentin e jo ta zgjedhë atë në interes të Shqipërisë. Por, a do ta vjedhë dot? Unë them se jo.

Bisedoi: Ylli Pata

 

Kushtet

Ai duhet të mbrojë shtetin nga një mazhorancë agresive dhe nga një Kryeministër që kërkon të pushtojë të gjithë shtetin institucionalisht. Ky është kushti i parë. Kurse kushti i dytë është: Presidenti i ri shqiptar duhet të këtë pranimin nga aleati ynë strategjik Uashingtoni dhe NATO

Ngjela: Dy kushtet që duhet të plotësojë kandidati për president burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›