Berisha mbron kandidaturën e Zaganjorit

Kandidati për president Xhezair Zaganjori
Kryeministri jep sinjale se e ka seriozisht emrin e kandidatit për president.
Kryeministri Sali Berisha mbajti një fjalim sot në Vlorë përballë mbështetësve të tij në këtë qytet dhe ofroi një seri lëvdadash për propozimin e tij për postin e presidentit të republikës Xhezair Zaganjori. Berisha i kushtoi shumë minuta lëvdata kandidatit Zaganjori, i cili është propozuar nga maxhoranca, por është refuzuar si një kandidat i mundshëm kompromisi nga opozita.
Zaganjori është një profesor dhe diplomat i shkëlqyer, tha Berisha mes të tjerash.
Në raundin e parë për zgjedhjen e presidentit, të mërkurën e kaluar, maxhoranca nuk e dërgoi formalisht emrin e Zaganjorit për votim për shkak se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, përcaktojnë që kandidati që humbet në votim në tri raundet e para, nuk mund të marrë pjesë në votim në raundin e katërt, kur presidenti mund të zgjidhet edhe me 71 vota. Raundi i ardhshëm do të mbahet javën tjetër, ku sërish çdo kandidati të mundshëm i nevojiten 84 vota.
Ndërkohë, Berisha foli edhe për marrëveshjen e tij me Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila gjatë javëve të fundit ka bërë të ditur se dëshiron një president me mirëkuptim të gjerë mes mazhorancës dhe opozitës.
Marrëveshja me LSI në një pikë të saj, thotë se Presidenti i Ardhshëm do të vijë me konsensusin e PD-LSI, tha Berisha. Maxhoranca qeverisëse e dalë nga zgjedhjet e vitit 2009, duket se nuk i jep mundësi Partisë Demokratike ta zgjedhë vetë. 2 qeshor 2011 (gazeta-Shqip.com)
Neni 87 i Kushtetutës, Zgjedhja e Presidentit
(Ndryshuar me ligjin nr.9404, datë 21.4.2008, neni 5)
1. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat.
2. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime.
Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni.
3. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
4. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave. Votimi i pestë zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në votimin e katërt. Në rast se ka më shumë se dy kandidatë me të njëjtin numër votash, kandidati që merr pjesë në votim caktohet me short.
Në rast se pas votimit të katërt nuk ka mbetur asnjë kandidat në konkurrim, për këtë votim mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni. Kur paraqiten më shumë se dy kandidatë, votimi zhvillohet midis dy kandidatëve që kanë siguruar numrin më të lartë të deputetëve propozues.
5. Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij.
6. Kuvendi pasardhës e zgjedh Presidentin e Republikës me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij..
Kushtetuta e Shqipërisë.
Berisha mbron kandidaturën e Zaganjorit burimi: Gazeta Shqip