Fule, ultimatum Berishës: Të zgjidhet Presidenti konsensual me opozitën
Statusi - Shqipëria rrezikon të djegë këtë vjeshtë për herë të tretë mundësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian
Afati - Në mënyrë të qartë, Komisioni Europian kishte lënë 24 majin afatin final në të cilin dy partitë e mëdha duhet të kishin përmbyllur reformën zgjedhore dhe atë parlamentare
Opozita - Partia Socialiste ka bërë të qartë se ajo do të kërkojë që paralelisht me diskutimet për Presidentin të zgjidhet dhe çështja e dy reformave.
PD - Partia Demokratike kërkon që këto dy reforma të shqyrtohen pas zgjedhjes së Presidentit të ri, duke theksuar se këto janë dy çështje pothuajse të zgjidhura.
Brukseli
Komisioneri i BE: Do të ketë kushte shtesë
Fatjona Mejdini
Bashkimi Europian kërkon me ngulm konsensus mes palëve politike për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit. Brukseli zyrtar jo vetëm që i sheh si të pandara proceset e kryerjes së reformave dhe gjetjes së konsensusit për Presidentin, por po rrit gjithnjë e më shumë presionin ndaj mazhorancës. Kështu, dje komisioneri për Zgjerim i Komisionit Europian, Stefan Fule, i ka dërguar një letër konfidenciale Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama. Top Channel ka arritur të zbulojë dhe letrën e cila dy ditë më parë është nisur nga Brukseli dhe kuptohet që tashmë ka mbërritur në duart e dy drejtuesve të forcave kryesore në vend. Aty kërkohet në mënyrë të qartë kryerja me urgjencë e reformës zgjedhore, asaj parlamentare dhe zgjedhja e Presidentit. Të tria këto procese kërkohen në mënyrë ultimative të kryhen me konsensus mes PD-së dhe PS-së. Këto qëndrime përforcohen dhe nga vizita që do të kryejë në Tiranë në datën 7 qershor, drejtori për Zgjerimin në KE, Stefano Sannino. Sigurisht, drejtuesi i lartë i BE-së, pret që në vend të jetë zgjedhur një Presidentit konsensual nisur nga fakti se në datën 4 është vendosur të mbahet dhe seanca e dytë e zgjedhjes së Presidentit, seancë në të cilën kërkohet një shumicë e cilësuar. Këtë e thekson në mënyrë të qartë Fule në letrën e tij. Por dhe nëse Presidenti i ri nuk është zgjedhur deri në vizitën e Saninos, atëherë palët kanë përsëri një tjetër mundësi të tretë dhe të fundit për të gjetur konsensus të gjerë në lidhje me këtë çështje.
Letra
Në letrën e dërguar dy njerëzve më të rëndësishëm të politikës së vendit, komisioneri i KE-së për Zgjerimin, Stefan Fule, kërkon që konsensusi për dy reforma dhe zgjedhjen e Presidentit të mos vonojë. Kërkohet në vijimësi frymë konsensuale dhe dialog mes palëve për të përmbyllur me sukses e pa vonesa të dëmshme reformën zgjedhore dhe parlamentare, si dhe për zgjedhjen e Presidentit, theksohet në letrën e bërë publike nga Top Channel. Në mënyrë të qartë, Fule thekson se ai do të donte që kur Sannino të ishte në Tiranë, palët politike ta kishin zgjedhur Presidentin e ri të vendit. Kjo deklaratë e Fules kërkon që PD dhe PS të bashkojnë votat për të zgjedhur Presidentin e ri dhe duhet ta bëjnë këtë në datën katër qershor. Ne do të dëshironim që zoti Sannino ta gjente Tiranën me kreun e ri të shtetit, në mënyrë që palët të angazhohen plotësisht në tryezë për të mbyllur reformën zgjedhore e gjithçka që ka të bëjë me zgjedhjet, theksohet në letrën e Fules.
Rreziku
Në letrën e tij, Fule ka lënë të kuptohej se mosplotësimi i këtyre tre kushteve që vijnë nga Brukseli do të sillte probleme shtesë për Shqipërinë. Dëshira e Brukselit ka qenë dhe mbetet zgjedhja sa më e shpejtë e Presidentit sipas germës dhe frymës së Kushtetutës. U takon partive politike shqiptare që të bëjnë të mundur që kjo situatë të kapërcehet, e të mos krijohen probleme shtesë, theksohet në mënyrë të qartë në letër. E përkthyer ndryshe probleme shtesë do të thotë dhe mosdhënia e statusit Shqipërisë për herë të tretë këtë vjeshtë. Ky qëndrim i BE-së do të sillte dhe një izolim të plotë të Shqipërisë dhe mbetjen prapa të saj nga vendet e rajonit.
Fule, ultimatum Berishës: Të zgjidhet Presidenti konsensual me opozitën burimi: Gazeta Shqip

