E Diel, 1 Nëntor 2026

Zaganjori drejt rrëzimit, Meta negocion me Ramën një tjetër kandidat

Në orët e fundit janë intensifikuar takimet dhe kontaktet mes palëve politike për të gjetur një emër konsensual për postin e presidentit. Mësohet se Ilir Meta është takuar me Edi Ramën, ku nga burime afër të dy politikanëve bëjnë me dije se emri i Xhezair Zaganjorit nuk është parë si konsensual dhe për këtë duhet rrëzuar.

Takimi me Berishën

Gjatë ditës së djeshme gjithashtu mësohet se kreu i LSI-së Meta është takuar edhe me shefin e mazhorancës Berisha, në përpjekje për të dalë me një kandidat konsensual për president. Rreth mesditës të dy protagonistët e koalicionit qeveritar, Berisha e Meta, kanë biseduar në zyrën e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, duke shfrytëzuar edhe faktin qe gjatë gjithë paradites ka zhvilluar punimet e rregullta seanca plenare. Mësohet se të tjerë emra po ngrihen e bien në tryezën e negociatorëve dhe në fjalorin politik është rikthyer teza e një zgjidhjeje me konsensus të gjitha palët. Ilir Meta duket se ka marrë përsipër rolin e ndërmjetësit në gjithë këtë histori, duke tentuar madje që jo vetëm të konkludojë me një emër që do ta kënaqte edhe Berishën edhe Ramën, por edhe të tentojë një takim mes të dyve.

Rrëzimi i Zaganjorit

Burime pranë Ramës dhe Metës bëjnë me dije se opozita nuk e pranon kandidatin Zaganjori për të qenë pasardhës i Bamir Topit. Për këtë është diskutuar për emra të tjerë të cilët mund të arrijnë të marrin votave të të dy kaheve politike. Mazhoranca ka nisur të lëvizë me shpejtësi pas deklaratës së Komisioneri të BE-së Stefan Fyl i cili kërkoi që të gjendet një kandidat i dalë me propozim të dy palëve dhe jo një kandidat i njëanshëm.

Roli i LSI

LSI mbetet faktori më interesant në garën presidenciale. Në ditën që u konsumua pa kandidat raundi i parë i zgjedhjes se kreut te shtetit analistë dhe politologë kanë theksuar se LSI pavarësisht se nuk ka interes të drejtpërdrejtë në këtë proces; po e përdor zgjedhjen e kreut të ri të shtetit për tu faktorizuar dhe për të rritur peshën e saj politike. Sipas Zaloshnjës, Meta, është një prej politikanëve më të interesuar për një President konsensual. Procesi i zgjedhjes së presidenti është shoqëruar edhe me dyshime në lidhje me rolin që po luan LSI dhe raportet që ajo ka vendosur me PD apo PS; raporte të cilat sipas analistëve do të përcaktojnë fatin e maxhorancës qeverisëse./V+

Presidenti, raundi i dytë, të hënën

Në mungesë të konsensusit në konferencën e kryetarëve, Parlamenti miratoi sot pa debat, por vetëm me votat e mazhorancës, datën e seancës së dytë të votimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Seanca e dytë do të mbahet të hënën, më 4 qershor, në orën 10 paradite. Po ashtu Parlamenti miratoi sot me unanimitet projektligjin për peshkimin dhe ratifikimin e Konventës së Hagës “Për rivendosjen ndërkombëtare të detyrimit ushqimor ndaj fëmijëve”. Ajo që shkaktoi debat ishte projektrezoluta për punën e Këshillit Kombëtar të Radio-Televizioneve. Përfaqësuesit e opozitës akuzuan KKRT-në se ka dështuar së qeni një ent rregullator i tregut mediatik. Kurse deputetët e mazhorancës, gjithë duke pranuar problemet në funksionimin e KKRT-së, thanë se KKRT-së i duhet dhënë mbështetja e Parlamentit për të kryer detyrën e saj. Deputetët e mazhorancës akuzuan opozitën se nuk ka dërguar përfaqësuesit që i takojnë në KKRT.

Zaganjori: Do të jem në tre raundet e para

Një ditë pas konsumimit pa kandidat të raundit të parë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, Xhezair Zaganjori njeriu i përzgjedhur nga mazhoranca për këtë post, saktëson se do të vazhdojë të qëndrojë në garë të paktën në 3 raundet e para. Vetë anëtari i Gjykatës Kushtetuese deklaron se pavarësisht kundërshtimit nga ana e opozitës të figurës së tij deri tani, ai shpreson të votohet me konsensus. Sipas Zaganjorit, ende nuk është vendosur nëse ai do të vazhdojë të jetë emri i preferuar i mazhorancës edhe në raundin e 4, atëherë kur duhen vetëm 71 vota për të zgjedhur kreun e shtetit. Dy ditë më parë, opozita refuzoi emrin e Xhezair Zaganjorit si kandidat për postin e presidentit dhe mazhoranca vendosi të mos e propozojë zyrtarisht atë duke konsumuar një raund votimi pa kandidat.

Presidenti i ri, shoqëria civile sjell propozime

Ndërsa politika shqiptare është e fokusuar e gjitha në garantimin e Kushtetutës, pensionistët shtrojnë zyrtarisht alternativën e tyre. Mehdi Shkreli, profesor në Universitetin e San Marinos është propozuar zyrtarisht nga Bashkimi Popullor Shqiptar për postin e Presidentit të Republikës. Emri i Shkrelit i është përcjellë në një letër të hapur partive politike dhe ambasadave të huaja të akredituara në Shqipëri. Edhe pse pret mbështetje nga të gjitha partitë parlamentare Shkreli thotë se fokusin e ka tek votat e mazhorancës. Ndërsa shoqëria civile sheh në postin e Kreut të Shtetit një grua. Në emër të koalicionit për nxitjen e pjesëmarrjes së grave dhe të rinjve në politikë, Sokol Hazizaj thotë se një grua në këtë post do të sillte më pak konliktualitet në politikën shqiptare. Pavarësisht propozimeve ajo çka i pengon kandidatët janë mungesa e 20 firmave të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, për të hyrë zyrtarisht në raundet e mbetura të votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›