E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ismail Kadare u kthen përgjigje studentëve: Nuk bëhem President

Pak ditë pasi Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës i dërgoi një letër shkrimtarit Ismail Kadare dhe liderëve kryesorë politikë duke kërkuar zgjedhjen e një presidenti që përfaqëson interesat kombëtare të shqiptareve dhe një figure me integritet, ka ardhur një përgjigje në drejtim të të rinjve të këshillit studentor. Shkrimtari Ismail Kadare pasi ka lexuar letrën, i ka kthyer një përgjigje konfidenciale studenteve shkodrane, lidhur me mundësinë e zgjedhjes së tij si president. Në këtë letër, që ndonëse konfidenciale, Këshilli Studentor e ka bërë publike në një prej mediave lokale të Shkodrës, Kadare shkruan: Së pari ju kërkoj ndjesë për vonesën e përgjigjes për letrën që më keni dërguar më 26 maj 2012. Dëshira për të vonuar një përgjigje zhgënjyese ka qenë arsyeja, jo fort e përligjur, ndoshta, për një gjë të tillë. Në të vërtetë letra juaj më dha një besim dhe kënaqësi të veçantë. Për fjalët tuaja fisnike, për vlerësimin e shkrimtarit, e nëpërmjet tij të artit, e sidomos për shqetësimin tuaj të bukur për vendin ku jetoni e për kombin të cilit i përkisni. Kur studentët e një kohe shqetësohen seriozisht për fatet e komunitetit, kjo është shenjë e sigurt se gjendja e shëndetshme, ajo që aq gjatë ka munguar, nuk do të vonojë. Ju keni të drejtë të zhgënjeheni me qëndrimin tim mospranues. Ka gjasë që një ditë unë vetë të them, ashtu si ju, se në përpjekjen për ti dhënë një ndihmë vendit tim, unë nuk arrita dot dhe u mposhta. Ndërkaq, nuk përjashtohet e kundërta, që me mospranimin tim, kam ndihmuar ndoshta për atë që ju, e bashkë me ju gjithë të tjerët, ëndërrojnë me padurim: përparimin, normalizimin dhe europianizimin e Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›