Zanafilla e Ditës së Verës
Prej shumë vitesh, në Shqipëri Dita e Verës është shndërruar në një një festë massive dhe festohet gati në të gjithë vendin. Por, megjithë pompozitetin, aktivitetet, dhe harxhimet që bëhen në këtë ditë, ka ende shumë persona të cilët nuk e dinë historinë e vërtetë dhe domethënies së Festës së Verës. Shumë syresh përfshihen në festime apo aktivitetet masive, për t'u shkëputur nga jeta e përditshme, ose në rastin më të mirë për të qenë të angazhuar, dhe nuk e dinë mesazhin e vërtetë që mbart kjo festë e ardhur nga lashtësia. Prej disa vitesh, veçse në Elbasan, ose trevën historike të saj, festa e Ditës së Verës ka nisur të festohet në mënyrë masive edhe në Tiranë. Nën kujdesin e Bashkisë, apo institucioneve të tjera ndihmëse zhvillohen një sërë aktivitetesh, por për hir të së vërtetës asnjë prej tyre nuk ka shumë lidhje me historinë dhe mesazhin e Ditës së Verës. Dhe në fakt, veçse një festë masive, Dita e Verës mbart me vete edhe mesazhe të trashëguara që nga kohet pagane. Sipas legjendës ajo përkujton ditën e daljes së zanës së Çermenikës e cila njoftonte ardhjen e verës dhe rigjallërimin e natyrës. Kjo festë pagane rezulton se është festuar që në kohërat më të lashta, dhe nuk u harrua për asnjë moment as gjatë shekujve të errëta të mesjetës. Vite më parë në këtë ditë përgatitej revania e Ditës së Verës, por me kalimin e kohës ajo u zëvendësua me Ballokumen, e cila tani është shndërrruar në simbol të festës së Ditës së Verës. Veç festimeve masive, ndoshta janë të paktë ata që e dinë se festa e vërtetë nis që në orët e para të mëngjesit. Tradita e do që familjarët që ngrihen më herët të spërkasin me ujë të freskët anëtarët e tjerë të familjes dhe ambientet e banesës. Një veprim i tillë lidhet me shpresën për një verë të pastër dhe të frytshme. Më vonë festimet vijojnë me vizita dhe drekën festive e cila zakonisht shërbehet në formën e piknikut në hapësira të gjelbra.