E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zanetti suspendohet pas 137 ndeshjeve

Javier Zanetti është i suspenduar për ndeshjen e ardhshme të Interit, duke përfunduar serinë prej 137 paraqitjeve të njëpasnjëshme në Serie A. Kapiteni i Nerazzurrëve ka luajtur vazhdimisht për tri vjet e gjysmë në elitën e futbollit italian.

Mirëpo, ai u ndëshkua me kartonin e katërt të verdhë këtë sezon gjatë humbjes 2-1 nga Roma, të shtunën dhe do të jetë i suspenduar për takimin e ardhshëm kundër Bolognas. Ndeshja e fundit ku ai kishte munguar ishte fitorja e Interit ndaj Livornos 4-1, më 25 tetor 2006, kur kishte qëndruar në bankë për 90 minuta. Ai nuk ka qenë i suspenduar nga 11 marsi 2006, kur Inter mposhti Sampdorian 1-0.

Për kuriozitet, në atë rast ai po ashtu ishte ndëshkuar me karton të verdhë kundër Romës në Olimpico. Zanetti, i cili do të mbushë 37 vjet në gusht, deri më tani gjatë këtij sezoni është paraqitur në 4.017 minuta. Në vetëm një prej këtyre 42 ndeshjeve ai nuk ka luajtur për 90 minuta, kur ishte inkuadruar si zëvendësues në Coppa Italia.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›