Murinjo dëshiron vetëm Junajtidin, Por nuk e braktis Interin tani
Zhoze Murinjo nuk do të largohet nga skuadra italiane e Interit në fundin e këtij sezoni. Këto fjalë janë bërë të njohura dje dhe i referohen mundësisë së teknikut portugez për t’u rikthyer që në sezonin e ardhshëm në kampionatin e dashur për të, Premier League. Në këtë mënyrë mësohet se as nuk ka ndërmend të pranojë një ofertë eventuale të Realit të Madridit apo Barcelonës, Por do të presë derisa të vijë momenti i tërheqjes nga jeta aktive si trajner e Sër Aleks Fergusonit për t’u ulur më pas në të vetmen pankinë, të cilën ai e dëshiron vërtet prej disa kohësh: atë të anglezëve të Mançester Junajtid. Ai që e ka lënë të nënkuptohet një gjë të tillë ka qenë pikërisht menaxheri i tij, Horge Mendes, nga kolonat e “People”. “Zhoze nuk do të largohet në asnjë skuadër tjetër dhe besoj se do të qëndrojë tek Interi. Ka akoma edhe tre vite kontratë dhe po bën një punë shumë të mirë. është e vërtetë, ai e dashuron futbollin anglez dhe mendoj se edhe futbolli anglez e do atë, por për momentin as nuk e ka ndërmend të largohet nga Seria A”. Për të thënë të vërtetën, të shikoje Mendesin të mërkurën e kaluar në San Karlo, një restorant famoz të Mançesterit, të linte një shije se portugezi mund të ishte aty për t’u takuar me drejtuesit e Sitit (një nga dy skuadrat, që do ta donte më shumë Murinjon për sezonin e ardhshëm, së bashku me Liverpulin). Por Mendes ka saktësuar, se vizita e tij në qytet ishte e lidhur më çështje të tjera. Ndoshta rinovimi i kontratës së Nanit me Junajtid, e firmosur në ditët e kaluara. Megjithatë është e ligjshme të supozohet, se me këtë rast menaxheri edhe të ketë bërë sondazh te drejtuesit e “Red Devils” mbi të ardhmen, pasi Sër Aleks do t’i thotë lamtumirë pankinës. Ai ka lënë të kuptohet se Junajtid do të ishte e vetmja ofertë, që Murinjo nuk mund ta refuzonte. Por për momentin, mundësia që Ferguson të lërë postin e tij duket më se e largët, prandaj “Special One”-it nuk i mbetet tjetër veçse të presë. Gjatë kësaj kohe, objektivi është të fitojë sa më shumë me Interin, për të përmirësuar vitrinën e tij personale dhe për të shtuar mërzinë e atyre që e larguan shumë shpejt nga Anglia (nënkuptohet, Roman Abramoviç).
#