E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zannier e krahasonte Kosovën me Afganistanin

Ish-shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, para se të largohej nga Kosova e kishte krahasuar atë me Afganistanin.  Sipas gazetës kosovare "Koha Ditore" në disa korrespodenca ndërmjet tij dhe komandantit të KFOR-it, gjeneralit Erhard Buhler, ish-shefi i UNMIK-ut përmend incidentet në Afganistan si arsye për të mbajtur në nivel të lartë sigurinë e stafit të UNMIK-ut në Kosovë.

Në një letër dërguar komandantit të KFOR-it lidhur me murin që rrethon selinë qendrore të UNMIK-ut në Mitrovicë, ish-shefi i UNMIK-ut shkruan se muri është i nevojshëm për shkak të sigurisë së stafit dhe kërkon nga KFOR-i që të ndalojë Komunën e Mitrovicës nga aksioni për prishjen e tij.
 

Diplomati italian, që sipas burimeve të gazetës letrën e ka shkruar në ditën e fundit të mandatit të tij në Kosovë, i rikujton komandantit të KFOR-it se është kompetencë e Kombeve të Bashkuara që të vendosin se çfarë masash sigurie nevojiten për stafin e tyre, dhe kërkon nga KFOR-i që të ndalojë prishjen e murit rrethues.

Korrespondenca ndërmjet ish-shefit të UNMIK-ut dhe komandantit të KFOR-it ndodh pas një kërkese të kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i cili kërkon nga UNMIK-u heqjen e rrethimit me qëllim që të lirohet hapësira publike.
Ndërtesa e UNMIK-ut gjendet në qendër të qytetit të Mitrovicës, disa metra në jug të lumit Ibër. Kryetari i Komunës në letrën e shkruar më 27 qershor, u jep si afat për heqjen e murit zyrtarëve të UNMIK-ut 6 korrikun. Në të kundërtën, Kastrati paralajmëron se Komuna do të detyrohet të prish murin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›