AAK: Matura u menaxhua keq
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) konsideron se fajet për rezultat të dobët të maturës shtetërore i ka menaxhimi i keq.
Eksperti i arsimit nga kjo parti, Jonuz Salihaj, përmendi të enjten në një konferencë për media, disa nga dobësitë që e kanë përcjellë testimin, si futja e fëmijëve në salla të mëdha ku dominon zhurma, përdorimi i telefonave celularë etj.
Madje, ai konsideron se edhe shifra prej rreth 42 për qind të maturantëve që kanë kaluar testin, është e fryrë.
Sipas Salihajt, testi i maturës është tregues i cilësisë në sistemin tonë arsimor dhe politizimit të madh që ka ndodhur në këtë sektor. “Derisa futet politika në arsim do të kemi një arsim joefikas”, theksoi ai.
Por, zv.ministri i Arsimit, njëherësh kryetar i Komisionit Qendror për Maturën Shtetërore, Nehat Mustafa, ka thënë për Kosovapress se deklaratat e Salihajt për rezultate të fryra nuk qëndrojnë, pasi që ka pasur një mbikëqyrje të fortë dhe vlerësim real të maturantëve. “Komplet procesi i maturës është pozitiv, pavarësisht çka mund të thotë Jonuz Salihaj apo dikush si Jonuzat e tjerë”, ka theksuar ai.