E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zaptuesit e lejeve të ndërtimit në Tiranë, lot krokodili për varfërinë”

Protestat antivarfëri të opozitës, reagon deputetja Lajla Përnaska

Deputetja e Partisë Demokratike Lajla Përnaska reagoi dje ndaj thirrjeve të opozitës për protesta kundër varfërisë, duke vlerësuar se makutërit dhe bosët e mafies kriminale, të udhëhequr nga Edi Rama, u kanë vjedhur qytetarëve mijëra troje publike e duke përvetësuar në mënyrë antiligjore 750 milionë euro.
Përnaska nënvizoi se lufta kundër varfërisë është përparësia më madhore e qeverisë së drejtuar nga kryeministri Sali Berisha. “Dje bllokmenët e rinj Edvin Kristaq Rama, Xhelil Gjoni i ri, Sul Bushati i ri, Bilbil Klosi i ri, Hamit Beqja i ri, njoftuan shqiptarët se do nisnin protestat e tyre për luftën kundër varfërisë nëpër Shqipëri. Mazhoranca konsideron luftën kundër varfërisë përparësinë e saj më madhore, por njëkohësisht u bën thirrje qytetarëve shqiptarë të mos harrojnë se ata që ftojnë sot për protestë kundër varfërisë janë makutërit dhe bosët e mafies që kanë përvetësuar qindra miliarda euro troje dhe pasuri të tjera publike, duke shfrytëzuar pushtetin e Edvin Ramës në kryeqytetin e vendit, ne qytetin ku ne jetojmë”, u shpreh deputetja e PD. “Është e trishtë, tha ajo, të shohësh se ata derdhin sot lot krokodili për të varfrit ndërkohë që vetë kanë marrë 70 për qind të lejeve të ndërtimit në Tiranë, kanë përvetësuar mbi 500 mijë metër katror sipërfaqe mbi troje publike dhe troje të tjera të grabitura te privatët, te pronarët, te vendalinjtë, kanë zhvatur zemrën e Tiranës, kanë ndërtuar pallate mbi rrugët në qendër të saj. Por e vërteta, të cilën sot e prek çdo banor, çdo qytetar i Tiranës, qëndron krejt ndryshe. Bllokmenët e rinj dhe grupi punist në krye të Partisë Socialiste urren të varfrit siç urren dhe vullnetin dhe votën e lirë të qytetarëve shqiptarë, siç nuk pranon, parimet, normat, themelin e demokracisë, siç nuk pranon shtetin ligjor, siç nuk pranon parlamentarizmin, siç nuk pranon vullnetin e sovranit që më 28 qershor vendosi për ata të qëndrojnë në opozitë, vendosi vazhdimësinë e integrimit dhe europianizimit të Shqipërisë”, deklaroi më tej deputetja e PD, Lajla Përnaska.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›