PD: Ata që bëjnë thirrje për protesta kundër varfërisë janë makutërit dhe bosët e mafies që zhvatin qytetarët
Deputetja e Partisë Demokratike Lajla Pernaska reagoi sot ndaj thirrjeve të opozitës për protesta kundër varfërisë, duke vlerësuar se makutërit dhe bosët e mafies kriminale, të udhëhequr nga Edi Rama, u kanë vjedhur qytetarëve mijëra troje publike e duke përvetësuar në mënyrë antiligjore 750 milionë euro. Pernaska nënvizoi se lufta kundër varfërisë është përparësia më madhore e qeverisë së drejtuar nga kryeministri Sali Berisha. “Dje bllokmenët e rinj Edvin Kristaq Rama, Xhelil Gjoni i ri, Sul Bushati i ri, Bilbil Klosi i ri, Beqja i ri, njoftuan shqiptarët se do nisnin protestat e tyre për luftën kundër varfërisë nëpër Shqipëri. Mazhoranca konsideron luftën kundër varfërisë përparësinë e saj më madhore, por njëkohësisht u bën thirrje qytetarëve shqiptarë të mos harrojnë se ata që ftojnë sot për protestë kundër varfërisë janë makutërit dhe bosët e mafies që kanë përvetësuar qindra miliarda euro troje dhe pasuri të tjera publike, duke shfrytëzuar pushtetin e Edvin Ramës në kryeqytetin e vendit, ne qytetin ku ne jetojmë”, u shpreh deputetja e PD. Është e trishtë, tha ajo, të shohësh se ata derdhin sot lot krokodili për të varfërit ndërkohë që vetë kanë marrë 70% të lejeve të ndërtimit në Tiranë, kanë përvetësuar mbi 500.000 metër katror sipërfaqe mbi troje publike dhe troje të tjera të grabitura tek privatëtët, tek pronaret, tek vendalit, kanë zhvatur zemrën e Tiranës, kanë ndërtuar pallate mbi rrugët në qëndër të saj. “Por e vërteta, të cilen sot e prek çdo banor, çdo qytetar i Tiranës, qëndron krejt ndryshe. Bllokmenët e rinj dhe grupi punist në krye të Partisë Socialiste urren të varfërit siç urren dhe vullnetin dhe votën e lirë të qytetarëve shqiptarë, siç nuk pranon, parimet, normat, themelin e demokracisë, siç nuk pranon shtetin ligjor, siç nuk pranon parlamentarizmin, siç nuk pranon vullnetin e sovranit që më 28 qershor vendosi për ata të qëndrojnë në opozitë, vendosi vazhdimësinë e integrimit dhe europianizimit të Shqipërisë”, deklaroi më tej deputetja e PD, Lajla Pernaska.
...