E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zaranika kërcënon 50 mijë banorë. Pushteti vendor jep alarmin dhe denoncon

18/10/2004  

ELBASAN - Me fillimin e shirave u duken dhe pikat e dobëta të përroit të Zaranikës, i cili shtrihet në pjesën perëndimore të qytetit të Elbasanit, duke përshkuar qytetin për t’u derdhur më pas në lumin e Shkumbinit. Mungesa e një mirëmbajteje të trasesë ka sjellë çarje të vazhdueshme të saj, duke bërë që rreziku për banorët përreth të jetë edhe më i madh. Veç dëmtimit të pritës, e cila tashmë nuk pengon prurjet e ngurta të vazhdojnë më tej, 3 vitet e fundit Zaranika reflekton edhe 4 çarje të tjera përgjatë rrjedhës, sidomos në zonën e banuar. Këto çarje problematike, që zgjerohen pas çdo shiu të dendur, rrezikojnë 50 mijë banorë përgjatë rrjedhës në lagjet “Vullnetari”, “Partizani”, “28 Nëntori” dhe “Skënderbej” të qytetit të Elbasanit.

Sasia e ujit pas reshjeve ka kaluar 100 metër kub për sekond dhe kjo vetëm brenda dy ditëve të fundit.

Rrezikshmëria që paraqet uji është mjaft shqetësuese, aq sa banorët e frikësuar kanë menduar të bëjnë edhe roje natën për të mos rrrezikuar jetën.

Pushteti vendor apelon

Por duket se problemet nuk kanë të mbaruar edhe për pushtetin vendor, i cili, edhe pse i përfshin brenda territorit, nuk administron përrenjtë apo lumenjtë.

Nëkryetari i Bashkisë, Ylli Llanaj, shprehet se, “situata është me të vërtetë emergjente, por fondet për të riparuar këto çarje, dhe sidomos pritat janë të papërballueshme për pushtetin vendor. Në të mirë të qytetarëve, pavarësisht mungesës së administrimit të përrenjve jo vetëm nga bashkia, por edhe nga Drejtoria e Ujërave, ne kemi përgatitur projekte dhe i kemi dërguar informacione të herëpashershme Ministrisë së Pushetit Vendor dhe Decentralizimit, por kjo e fundit nuk na ka kthyer asnjë përgjigje”, shprehet nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit.

Më tej, Llanaj bënë të ditur edhe fondin që duhet për “dispilinimin” e përroit të Zaranikës.

“Fondi, që përfshin projekti i hartuar, është 40 milionë lekë (të reja) duke përfshirë pritën dhe të çarat përgjatë rrjedhës. Ky fond i papërballueshëm nga Bashkia e Elbasanit do ta bënte jetën më të sigurtë për banorët përgjatë Zaranikës, të cilët të frikësuar lusin Zotin të mos ketë reshje për të larguar rrezikun e përmbytjeve”, thotë ai

Pushteti vendor denoncon

Përballë kërkesave për më shumë fonde, pushteti vendor përballet me indiferentizmin, ndërsa objekt denoncimi nga ana e tij bëhet edhe shpërdorimi i një sasie të konsiderueshme të hollash dy vjet më parë, për vënien e Zaranikës nën kontroll.

Sipas Llanajt, problem dhe njëkohësisht denoncim nga ana e tij, është shpërdorimi i para dy vjetëve i rreth 20 milionë lekëve (të reja).

“Informacioni i dërguar në ministri dhe projekti ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje ndërsa ogur jo i mirë duket investimi i kryer para dy vjetësh në Zaranikë me një fond rreth 20 milionë lekë (të reja) nga Ministria e Pushetit Vendor. Duket se efekti i këtij investimi jofunksional do të bjerë mbi kërkesën e re për fonde, që duket se nuk është mirëpritur dhe vlerësuar nga qeveria, ndërsa rreziku për përmbytjen e rreth 10 mijë familjeve do të jetë prezent gjatë gjithë stinës së dimrit dhe pranverës”, jep alarmin Ylli Llanaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›