E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lumi Osum gërryen 20 ha tokë bujqësore

18/10/2004  

BERAT - Lumi Osumit rrezikon dhjetëra shtëpi, bashkë me to edhe Ndërmarrjen e Gjelbërimit, ndërsa në fshatra gërryen mbi 20 hektarë tokë. Ky është alarmi i dhënë nga nga ekspertët e bashkisë dhe të Ndërmarrjes së Gjelbërimit.

Shirat e rënë 48 orët e fundit, ka bërë që prurjet e ujit të lumit Osum të rriten, duke dalë në disa vende edhe jashtë shtratit të tij, ndërsa vërshimi i tyre në të gjithë rrjedhën ka marrë përpara mbi 20 hektarë tokë.

Ndërmarrja e Gjelbërimit, noton në ujë

Më të rrezikuara në shirat e ditëve të fundit kanë qenë mbi 10 shtëpi të përmbytura në lagjen “30 Vjetori” në vendin e quajtur Pyjore. Në këtë pjesë të pyjores, ujërat e Osumit nga grryerja i janë afruar edhe Ndërmarrjes së Gjelbërimit, e cila është rrezikuar për t’u rrëmbyer nga lumi. Jo vetëm godina, bashkë me shkresat që gjendeshin aty janë dëmtuar, por ajo që është prishur dhe shkatërruar pjesërisht është sera e luleve të ndërmarrjes, e cila ka qenë tepër e pasur dhe ka shërbyer për dekorimin e lulishteve dhe pjesëve të para të institucioneve shtetërore në rrethin e Beratit. Për këtë problem, Drejtoria e Ndërmarrjes së Gjelbërimit edhe pse ka ngritur zërin, dhe ka vënë alarmin për ngritjen e një muri mbrojtës nga ana e lumit, i cili gjatë këtij sezioni depërton në hapësirën prej 1000 m të ndërmarrjes, ka ndeshur me indiferentizmin e strukturave përgjegjëse.

Sipas burimeve zyrtare të Bashkisë, ende mungon një fond për një mur mbrojtës në afërsi të argjinaturës, edhe pse një projekt i tillë ekziston.

Fshatarët, pronarë vetëm me letra të tokës së gërryer nga lumi

Problem ujërat e Osumit janë bërë për banorët që shtrihen në fshatra anës këtij lumi, ku vetëm në dy fshatra 14 hektarë tokë janë shembur dhe grryer nga lumi, ndërsa banorët kanë mbetur vetëm pronarë në letra të kësaj toke, e cila tashmë nuk ekziston. Në lidhje me këtë problem, banorët e 6 fshatrave, që shtrihen në të dyja anët e lumit Osum, janë ankuar pranë Bashkisë së Beratit, ku kanë kërkuar marrjen e masave për ngritjen e argjinaturës së lumit, i cili nga dita në ditë po iu rrëmben tokat.

Për këtë, burime nga Bashkia pohojnë se deri tani nuk ka asnjë lloj plani për mbrojtjen e tokës që ndodhet ngjitur me shtratin e lumit. Fshatrat më të prekur nga ky fenomen janë fshati Moravë, Bilç, Starovë etj., si dhe fshatrat e mesit të urave, aty ku bashkohet Osumi me Devollin dhe krijon Semanin. Këto fshatra si Arrza, Banaj, Sheqgajda, Kozare etj., janë edhe më të rrezikuara, pasi shtrati i këtij lumi fryhet nga ujërat e tepërta nga prurjet e ujit të dy lumenjve.

Sipas anëtarit të këshillit të komunës Otllak, Qerim Myrteli, i cili është dhe kryetar i fshatit Moravë, mësohet se grryerja e tokave ishte 500 m larg banesave, ndërsa po iu afrohet edhe këtyre të fundit. Deri tani, sipas Myrtelit, lumi ka gërryer vetëm në këtë dimër 9 ha tokë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›