Zarif: Të mos e prishim stabilitetin e arritur

Një prezencë dhe angazhim më i madh i bashkësisë ndërkombëtare, është i nevojshëm dhe urgjent në Kosovë. Kështu ka pohuar përfaqësuesi special i UNMIK-ut në Kosovë, Ferid Zarif, në takimin e Këshillit të Sigurimit ku prezantoi raportin për aktivitetin e UNMIK-ut në Kosovë dhe informoi për zhvillimet më të fundit, që kanë të bëjnë me bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë.
Zarif, para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, tha se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, është suspenduar për shkak të procesit zgjedhor në Serbi. Ai tha se është takuar me lidershipin e ri në Beograd, përfshirë presidentin dhe kryeministrin e Serbisë, dhe se gjatë këtyre takimeve është siguruar nga lidershipi atje për implementimin e marrëveshjeve, të arritura më parë, si rrjedhojë dialogut, si dhe rifillimin e këtij dialogu.
“Ky përkushtim ndaj këtij dialogu, përfshirë këtu dhe zbatueshmerinë e marrëveshjeve, besojmë se ështëi rëndësishëm për të dy palët. Gjithë angazhimi dhe përkushtimi dhe çfarëdo lloj mos-harmonie në interpretimin e këtyre marrëveshjeve, nuk do të duhej të ishin pengesë për implementimin e tyre. Unë besoj se tani me Qeverinë e re në Beograd, dialogu i ndërmjetësuar nga BE, duhet të rifillojë dhe të involvuarit, do të kenë shfrytëzuar këtë periudhë, për të fuqizuar më tutje angazhimet e tyre në këtë proces”, pohoi Zarif.
Ai po ashtu pohoi, se është e rëndësishme që palët kanë treguar një përkushtim të shtuar, por duhet që edhe BE-ja, t`i shtojë përkushtimet e veta në këtë periudhë shumë të rëndësishme. Zarif po ashtu tha se në terren, janë bërë përparime të rëndësishme, posaçërisht përgjatë prezencave të shtuara të Kombeve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar, të punës së zyrës së OSBE-së, BE-së, EULEX-it dhe KFOR-it, gjë që kanë dëshmuar që ka një koherencë të veprimeve në këtë drejtim, të benefitit të përbashkët. Një bashkërenditje e tillë, sipas tij ka sjell adresim më të mirë të çështjeve përmes përpjekjeve të përbashkëta, përfshirë edhe ato çështje, që kanë mbetur peng i mungesë sëvullnetit politik.
Zyra e BE-së, sipas Zarif, ka vazhduar të përshpejtojë veprimet e veta dhe se gjatë kësaj periudhe raportuese, EULEX-i gjithashtu ka kryer procesin e suksesshëm konfigurues, duke shtuar efikasitetin në punën e vet. Mirëpo përkundër këtij dizajnimi, ai tha se besojnë se duhet kushtuar më shumë vëmendje, për të arritur efektivitet në fushën e sundimit të Ligjit dhe përformancën e institucioneve. Ai tha se edhe pse veprimet operative të UNMIK-ut janë të kufizuara, mbesin të përkushtuar në rezultatet dhe angazhimin me autoritetet e Kosovës, në fushat që ndihmojnë përmirësimine jetës së qytetarëve të Kosovës.
Ai po ashtu përmendi edhe kthimin e besimit të qytetarëve të Kosovës, në punën e UNMIK-ut, bazuar në një anketë të BE-së.
Zarif po ashtu tha se ka pasur interaktivitet më të madh, mes autoriteteve lokale dhe qytetarëve, në arritjen e progresit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, kthimin e të zhvendosurve dhe procesin e personave të pagjetur, duke kërkuar akoma më shumë angazhim në këto fusha, për të ndryshuar një retorikë e cila vie nga Prishtina, Beogradi dhe veriu i Kosovës.
Sipas tij, krijimi i një mjedisi më të favorshëm, për një përfaqësim të interesit të popullatës në veri të Kosovës, do të duhet të ishte prioritet për të gjithë dhe se arritja e kësaj, nënkupton një vullnet me të madh dhe një pjekuri politike të të gjitha palëve, duke shpresuar që rezultatet e këtij procesi, nuk do të jenë peng i mënyrave jo konstruktive që janë bërë shumë evidente.
“Shpresoj që në periudhën që na pret asnjëra nga palët, as palët kryesore të interesit ndërkombëtar, nuk do të lënë t`i ik ndonjë shans, që adreson çështjet kryesore politike, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe efikase. Ne do të duhet të jemi të vëmendshëm, të mos e prishim stabilitetin e arritur. Apeloj tek pjesëtaret tjerë të këtij këshilli , t`i inkurajojnë palët e ndryshme qëtë kenë qasje më të mirë drejtë procesit të negociatave, me kompromis dhe respektin reciprok. Sepse vetëm kjo rrugë duhet të ndiqet, për të arritur rezultate e duhura dhe kjo e kaluar fatkeqe të lihet prapa”, pohoi Zarif.