E Diel, 1 Nëntor 2026

Zavales: Kosova jo më në fokus të ndërkombëtarëve

Uashington-Për një periudhë afatshkurtër, Kosova nuk do të jetë në fokus në bashkësisë ndërkombëtare, ka vlerësuar analisti amerikan John Zavales. Sipas tij, konflikti në Gazë dhe kriza globale ekonomike do të ndikojnë që Kosova të mos jetë në fokus të ndërkombëtarëve.
"Në këtë moment, madje edhe në vetë Ballkan, kujdes i madh do t’i kushtohet kontestit mes Athinës dhe Shkupit - rreth emrin zyrtar të Maqedonisë - sesa Kosovës. Të dyja palët në Kosovë, shqiptare dhe ajo serbe, do të përpiqen të ruajnë gjendjen e tanishme pa tronditje të mëtejshme”, ka thënë Zavales në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

"Nga këndvështrimi i shqiptarëve të Kosovës, ata në thelb kanë realizuar shumicën e dëshirave të tyre, ndërsa pavarësinë e Kosovës e kanë njohur më shumë se 50 shtete”- ka thënë ai.

Zavales ka thënë po ashtu se shqiptarët do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtën formale për tërë territorin e Kosovës, ndërsa Beogradi do të vazhdojë t’i përmbahet refuzimit për ta njohur pavarësinë e Kosovës dhe do të vazhdojë të ruajë lidhjet e posaçme me bashkësinë serbe në Kosovë.

"E gjithë kjo paralajmëron lëvizjen drejt një lloj të ndarjes së qetë dhe joformale të Kosovës. Me afrimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian, statusi formal i pjesës veriore të Kosovës dhe enklavave, do të mund të bëhej më pak relevant, derisa Beogradi do të vazhdojë të mbështesë status-quo-në dhe marrëdhëniet e tanishme me pjesën veriore të Kosovës dhe enklavat”, ka vlerësuar Zavales.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›