Zbardh financimet e gruas tënde, pastaj fol për autizmin
Vjet në dhjetor, Liri Berisha, u shfaq para mediave në një godinë luksoze. Tha se ishte qendra më e madhe e autizmit në Europën Juglindore. Nuk ka të sosur kjo marria për të bërë gjërat më të mëdha e për të qenë të parët në Europë. Nuk e kanë shtete disa herë më të madha se Shqipëria, e kemi ne. Dhe mirë që e kemi. Autizmi është një problem vërtet i madh i shoqërive.
Sot kryeministri Sali Berisha foli gjerë e gjatë për këtë problem në mbledhjen e qeverisë. Foli për autizmin edhe pse nuk mori asnjë vendim për këtë çështje. Foli se kështu i duhet gruas. Edhe një qendër të madhe shtetërore për këtë çështje e ka çuar drejt rrënimit. Pse? Për ti hapur rrugë biznesit të gruas.
Por ndërsa foli gjatë e gjatë për këtë çështje, si nuk e tha asnjë fjalë se si i gjeti paratë e shoqja e tij për të bërë qendrën më të madhe në Europën Juglindore? Ah, po, pagoi biznesi shqiptar për të bërë Liri Berisha qendrën më të madhe në Europë. Se çfarë mori në këmbim biznesi, këtë nuk e sqaron askush, veçse emrat që spikasin në hyre të godinës luksoze janë të atyre që e kanë kapur shtetin.
Në një intervistë që u transmetua për Vitin e Ri, shqiptarët panë Liri Berishën tek shëtiste në këtë qendër luksi, por ajo nuk mori asnjëherë guximin tu thoshte shqiptarëve se sa ka kushtuar qendra. Nuk u tha as edhe diçka tjetër, sa kushton që të shkosh të trajtosh fëmijën aty. Nga zyra e saj gjigande ajo foli e foli për problemin e autizmit dhe nuk zbardhi ato që duan të dëgjojnë shqiptarët. Sepse shumëkush në shëndetësi tani të thotë se autizmi është kthyer në një biznes fitimprurës.
Ndaj në vend që të flasë e të bëjë si i përvuajtur, Berisha do bënte mirë të bënte transparancë për këto gjëra. Transparencë. Sa e do këtë fjalë ky njeri.