Shoqëruesi i Berishës, i kërkuar nga Interpol. Ali Evsen: Sjam në kërkim. Skam nënshtetësi shqiptare

Evsen, krahu i djathte i Berishes
Biznesmeni Ali Evsen, i kërkuar nga Interpoli (http://interpol.int/Wanted-Persons/%28wanted_id%29/2012-9651), thotë se ata ia fusin kot, pasi nuk është në kërkim. Gjatë vizitës së kryeministrit Sali Berisha në Azerbajxhan, Evsen ishte njeriu që shfaqej në krah të djathtë të Berishës. Evsen kërkohet për llogari të Egjiptit pasi akuzohet se është implikuar në pastrim parash gjatë periudhës kur Mubarak ishte në pushtet. Por në një intervistë për agjencinë e Azerbajxhanit, APA, Evsen thotë se nuk ka pasur lidhje me ish- presidentin Mubarak. Ai thotë se ka shkuar vetëm njëherë në Egjipt, tani kur Mubarak ra. I pyetur për faktin se në faqen e Interpol ai ka edhe nënshtetësi shqiptare dhe azere, Evsen thotë se ka vetëm shtetësinë turke. Evsen thotë se nëse do ishte në kërkim ndërkombëtar, pse nuk e arrestojnë. Sipas tij, ai ka qenë në Azerbajxhan dhe nuk e kanë arrestuar në kufi. Por Evsen pranon se gjyqi ndaj tij për pastrim parash vazhdon. Ndërkohë në Shqipëri gjykata i ka sekuestruar atij katër avionë të Albania Airlines.