E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndahet nga jeta polici i aksidentuar

Durrës

Ndahet nga jeta polici i qarkullimit rrugor që u aksidentua në detyrë. Pesë ditë më parë, Kastriot Aliaj, ndërsa ishte në shërbim së bashku me një kolegun e tij, u aksidentua nga një fuoristradë me targa të Tiranës, që drejtohej nga një 36-vjeçar. Aliaj nga Skrapari dhe me banim në Durrës me gjithë përpjekjet e mjekëve dhe kolegëve që dhuruan gjak humbi jetën nga hemorragjia e brendshme në moshën 50-vjeçare. Ngjarja ndodhi rreth orës 16.20 në superstradën Tiranë-Durrës pranë Koxhasit, më 11 shkurt. Për aksidentimin e policit rrugor është arrestuar në flagrancë shtetasi Afrim Byberi, i dënuar më parë për vrasje nga pakujdesia. Nga kryerja e veprimeve hetimore në vendin e ngjarjes rezultoi se në momentin e aksidentit, viktima ka qenë duke kontrolluar dokumentacionin e automjetit tip “Volkswagen” me targa BC 406 EV të parkuar në krahun e djathtë të rrugës në drejtimin e lëvizjes Tiranë-Durrës. Ai ka qenë jashtë rrugës kryesore në bankinën e krahut të djathtë, kur është goditur nga Byberi që drejtonte mjetin me targa TR2609 S nën efektin e alkoolit dhe ka humbur kontrollin e tij. Ndaj të arrestuarit kanë nisur hetimet për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtimit të mjetit në gjendje të dehur.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›