Zbardhet drafti personal i Edi Ramës, për të kushtëzuar komisionin e ligjeve

Zbardhet axhenda e Partisë Socialiste për ligjet që kërkojnë 3/5 e votave. Në axhendën e cila u dorëzua sot në komisionin e ligjeve nga deputeti socialist Fatmir Xhafa thuhet se deputetët grupi parlamentar socialist ka shprehur vullnetin për të qenë pjesë aktive e debatit dhe miratimit të këtyre projekt-ligjeve.
Grupi parlamentar socialist ka rikonfirmuar qëndrimin e tij se plotësimi i kushteve të BE-së për integrimin europian të vendit përbën angazhim prioritar dhe një kërkesë thelbësore të këtij procesi që i shërben mirëqeverisjes së vendit, forcimit të demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës.
“Me qëllim adresimin e menjëhershëm të këtyre 12 rekomandimeve dhe me vullnetin e mirë për t’i dhënë zgjidhje krizës politike e institucionale në vend, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, propozoj “Paktin për Shqipërinë si gjithë Europa”. Ne kemi ofruar këtë projekt për të ndërtuar së bashku me mazhorancën parlamentare një proces kushtetues, parlamentar e institucional, një projekt për të ardhmen, për Shqipërinë dhe shqiptarët, që i shërben drejtpërsëdrejti projektit të madh të integrimit”- theksojnë socialistët.
Ja propozimet e PS-së për ligjet me 3/5 e votave:
1. Të miratohet një komision ad-hoc të atashuar pranë komisionit të ligjeve i cili bazuar në kalendarin përkatës të miratuar nga komisioni i ligjeve të ndërtojë një proces intensiv pune për shqyrtimin e projektligjeve të propozuara dhe projektligjeve të reja që do të duhet të shqyrtohen në kuadrin e reformës në drejtësi edhe në reflektim të rekomandimeve të Opinionit dhe Raport Progresit të BE.
Për organizimin e këtij procesi PS-ja propozon që Komisioni ad-hoc të jetë me përbërje të barabartë të dy palëve duke pasur konsensusin si parim bazë të vendimmarrjes së tij bazuar edhe në përvojën e komisioneve ad-hoc të reformave zgjedhore.
2. Të ndërtohet një proces efektiv përmes komisionit për Çështjet ligjore, Administratën publike dhe të Drejtat e Njeriut për shqyrtimin e projektligjeve të propozuara dhe projektligjeve të reja që do të duhet të shqyrtohen në kuadrin e reformës në drejtësi edhe në reflektim të rekomandimeve të Opinionit dhe Raport Progresit të BE.
Sipas tyre kjo rrugë mund të jetë më e komplikuar për shkak të impenjimeve të tjera të komisionit të ligjeve në kalendarin e kuvendit, zhvillimit të debatit teknik në praninë e një numri shumë të madh deputetësh që ka ky komision në përbërje të tij, vështirësive në përfshirjen e ekspertizës pranë këtij komisioni etj çka mund të ndikojë në zgjatjen e procesit dhe kryesorja në cilësinë e tij si dhe në sigurimin e konsensusit të domodoshëm të kërkuar për këto projektligje.
Gjithsesi për të dy alternativat PS-ja propozon një proces që do të ndërtohet mbi këto kritere dhe hapa konkrete :
1. Miratimi i një kalendari pune në shtrirje kohore (sipas projektit bashkëlidhur) së bashku me hapat proceduariale që do të ndiqen për këtë proces;
2. Të miratohet për secilin nga projektligjet relatorët përgjegjës nga të dy palët duke atashuar (kur çmohet e nevojshme) edhe ekspertët përkatës në mbështetje të tyre. Relatorët të paraqesin planin e përbashkët për organizimin e procesit të shqyrtimit të projektligjit përkatës;
3. Kalendari i komisionit të bëhet publik për t`ju dhënë mundësinë e shfaqjes së interesit dhe kontributit konkret kujtdo që dëshiron të ofroj ekspertizën e tij në këtë proces si dhe t`ju dërgohet të gjitha institucioneve dhe grupeve të interesit për të dhënë kontributet përkatëse;
4. T`ju kërkohet institucioneve përgjegjëse që nisur nga koha e gjatë që ka kaluar të shprehen nëse kanë propozime të reja rreth projektligjeve të propozuara prej tyre. E njëjta kërkesë t`ju adresohet edhe agjencive dhe misioneve të asistencës që kanë kontribuar në procesin e hartimit të këtyre projektligjeve për të dhënë komentet përkatëse rreth këtyre projekt-akteve (Euralius, OPDAT, USAID, OSBE etj);
5. Pranë komisionit të atashohen ekspertë të Kuvendit për të mbështetur teknikisht organizimin e procesit dhe shqyrtimin e projekt-akteve;
6. Komisionit ti krijohen kushtet për të siguruar përfshirjen, mbështetjen dhe asistencën aktive të një grupi ad-hoc konstitucionalistësh si edhe ekspertësh vendas (akademikë, pedagogë të së drejtës, ekspert të disiplinave të ndryshme nga radhët e avokatisë, shoqërisë civile etj) rast pas rasti sipas fushave;
7. Të sigurohet ekspertiza e kualifikuar ndërkombëtare përmes asistencës së misioneve të BE (Euralius), SHBA (OPDAT), USAID, OSBE etj që asistojnë aktualisht sistemin e drejtësisë ose nëse do të çmohet e domosdoshme edhe ekspertë të thirrur rast pas rasti sipas interesit të çështjeve përkatëse;
8. Komisioni të ketë detyrën që mbështetur në propozimet e relatorëve përgjegjës për çdo projekt akt të organizoj seanca dëgjimore publike me propozuesit e projekteve, me përfaqësuesit e institucioneve të sistemit të drejtësisë, grupeve përkatëse të interesit;
9. Gjithashtu komisioni të jetë i hapur të konsideroj çdo lloj kontributi të ekspertëve dhe qytetarëve të interesuar që janë të gatshëm të kontribuojnë në këtë proces përmes propozimeve konkrete që mund ti adresojnë komisionit;
Sipas socialistëve qëllimi i propozimeve të mësipërme është që të realizohet një proces tërësisht transparent e gjithëpërfshirës, të përshkruar nga fryma e debatit dhe asistenca e ekspertizës profesionale dhe jo një proces ligjvënës të mbyllur e formal si dhe një proces që ka si matës të produktit përgjegjshmërinë dhe efiçencën e sistemit, jo thjesht numrin e ligjeve dhe amendamenteve të propozuara dhe të miratuara. Ne synojmë një proces ligjvënës të ndërtuar tërësisht mbi baza kushtetuese, ligjore dhe standardet europiane.
“Ne mbetemi të hapur që të diskutojmë me kryesinë e komisionit në konsultim edhe me Konferencën e Kryetarëve një prej alternativave të mësipërme së bashku me kalendarin përkatës të shqyrtimit të këtyre projektligjeve”- shtojnë më tej socialistët.