E Shtunë, 31 Tetor 2026

Promovohet “Kurban-i”, Rama: “Lakuriq” para publikut

TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama promovoi sot librin e tij “Kurban”. Libri i Ramës do mbajë firmën e shtëpisë botuese Dudaj dhe do gjendet në panairin e librit, që u hap sot pasdite.

Në një fjalim të shkurtër, lideri i opozitës rrëfeu se kishte filluar ta shkruante këtë libër në muajin korrik, pikërisht kur vazhdonte numërimi i votave për Bashkinë e Tiranës. E shkruajta këtë libër tha Rama, si për të shlyer një borxh ndaj nënës, fëmijëve, e gruas së tij Linda, të cilëve ua dedikon.

“Nëse c'ka nisi si një sprovë përballë vetes, brenda katër mureve të nxehtë të korrikut, u bë libri që keni sot në dorë, kjo i detyrohet së pari Lindës, që s’më la asnjëherë të ndalesha nga droja prej asaj që shkruaja”, komentoi Rama.

Duke falenderuar të gjithë ekipin që punoi me të për librin të tij të parë, Rama deklaroi se me botimin e këtij libri i duket se ka dalë publikisht lakuriq, ndërsa nuk mungoi as batuta, “ju e dini se nuk e kam për herë të parë...”, shoqëruar me të qeshura nga salla.

“Më duket sikur kam dalë publikisht lakuriq. Edhe ju e dini se nuk e kam për herë të parë. Por, çdo lakuriqësi ka një dobësi të vetën që të bën të ndjehesh i kërcënuar. E nëse ka një gjë që më tremb më shumë tani, që c’ka kam shkruar e keni ju në dorë, nuk është se ky libër edhe mund të mos ju pëlqejë, kjo do ishte gjysma e së keqes, por është se mos ju dukem i mërzitshëm teksa më lexoni, megjithëse e kam një shpresë se do më lexoni deri në fund, pa ua marrë librin mërzia”, - mbylli fjalën e tij kreu i PS-së.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›