E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet pas 10 vitesh vrasja e Osman Markut, arrestohet autori

Tiranë

Zbardhet një krim i 10 viteve më parë, vihet në pranga autori i saj. Mesditën e djeshme është bërë publik nga policia e kryeqytetit zbardhja e një krimi të vjetër nga Seksioni i Krimeve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, mekanizimi i ngjarjes dhe i autorësisë së vrasjes së ndodhur dhjetë vjet më parë, ku ka mbetur i vdekur një 59-vjeçar. Burime zyrtare policore bënë të ditur se autor i dyshuar i ekzekutimit së Osman Marku, i cili u vra me armë zjarri të llojit automatik, është Agim Rexhep Sefa, 37 vjeç, banues në Bathore, pranë Tiranës. “Pas një rihetimi intensiv të kryer për dokumentimin e kësaj ngjarjeje, Seksioni Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, mbi bazën e informacioneve të grumbulluara, duke bashkëpunuar me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, finalizoi duke mundësuar zbulimin dhe dokumentimin e autorit të kësaj vepre penale, ku u konkludua se autor është Agim Sefa”, - detajuan zyrtarët e policisë. Ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 26 korrik të vitit 1997, në Kodër Babrru dhe dyshohet se erdhi e nxitur për motive hakmarrjeje. Pas zbardhjes së ngjarjes, një grup policor rrethoi në orët e vona të ditës së djeshme banesën në Bathore të të dyshuarit Agim Sefa, i cili u kap pa bërë rezistencë. Tani 37-vjeçari përballet me akuzat për konsumim të veprave penale të “vrasjes me dashje në bashkëpunim” dhe “armëmbajtjes pa leje dhe municioneve”. Policia nuk tha se kush ishte bashkëpunëtori tjetër i të arrestuarit Sefa.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›