E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata shtyn edhe 6 muaj hetimin për tragjedinë e Gërdecit



Gjyqtari Vokshi lë në fuqi masën “arrest me burg” për Delijorgjin, Pinarin e Minxhollin. Tre të pandehurit rrezikojnë “burgim përjetë” pas komunikimit të akuzave të reja

Gjykata e Tiranës, pasi u njoh me akuzën e re në ngarkim të tre të arrestuarve për tragjedinë e Gërdecit, ka vendosur të lërë në fuqi të njëjtën masë arresti për tre të pandehurit, konkretisht “arrest me burg”, duke shtyrë edhe gjashtë muaj të tjerë procesin hetimor dhe duke i lënë kohë organit qendror të akuzës për hetime të mëtejshme. Vendimi është marrë paraditen e djeshme nga gjyqtari Asim Vokshi, në mungesë të vetë të pandehurve dhe në prani të përfaqësuesve ligjorë të tyre. Pas komunikimit të akuzave të reja, tre të pandehurit rrezikojnë burgim përjetë nëse deklarohen fajtorë nga gjykata. Prokuroria e Përgjithshme i është drejtuar dy ditë më parë Gjykatës së Tiranës për caktimin e një mase sigurie në ngarkim të tre të arrestuarve për tragjedinë e Gërdecit, Mihal Delijorgji, Dritan Minxholli dhe Ylli Pinari. Pas refuzimit të bërë nga ana e Gjykatës së Lartë për caktimin e masës së sigurisë, organi qendror i akuzës i është drejtuar Shkallës së Parë. Sipas burimeve, shkak për caktimin e kësaj mase sigurie është bërë komunikimi i akuzave të reja, si “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese të më shumë se dy personave”, “rrezikshmërisë së jetës së më shumë se dy personave dhe rrezikshmërisë së jetës së shumë personave të tjerë”, vepra penale këto të kryera në bashkëpunim, si dhe përfundimi i afatit 6-mujor për akuzën e mëparshme. Organi qendror i akuzës i kërkoi Gjykatës së Shkallës së Parë zgjatje të afateve të paraburgimit për tre të pandehurit e akuzuar për tragjedinë e 15 marsit në Gërdec. Në sajë të kësaj mase sigurie, prokuroria ka të drejtë të hetojë mbi tre të pandehurit edhe 6 muaj të tjerë, deri në mars të vitit të ardhshëm, kur bëhet plot një vit nga tragjedia e Gërdecit.

Gjykata e Lartë shpalli moskompetencën

Disa ditë më parë Gjykata e Lartë ka shqyrtuar kërkesën e bërë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme për caktimin e një mase sigurie për tre të pandehurit Dritan Minxholli, drejtor teknik i punimeve në fabrikën e Gërdecit, Mihal Delijorgji, administrator i firmës “Albademil” dhe Ylli Pinari, drejtori i MEICO-s, pas komunikimit të akuzave të reja, si dhe përfundimit të afatit 6-mujor të caktuar për akuzën e parë. Kolegjet penale pasi kanë marrë në shqyrtim kërkesën, kanë shpallur moskompetencën. Sipas argumentit të kolegjit penal, të pandehurit nuk janë persona me imunitet, për këtë kjo çështje duhet të gjykohet nga Gjykata e Shkallës së Parë. Shkak i drejtimit të prokurorisë në Gjykatën e Lartë ishte pikërisht nisja e hetimeve për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Tre të pandehurit Pinari, Delijorgji dhe Minxholli akuzohen nga Prokuroria e Përgjithshme si autorë të tragjedisë së Gërdecit dhe rrezikojnë deri “burgim të përjetshëm” nëse deklarohen fajtorë për akuzat e komunikuara dje para gjyqtarit Asim Vokshi. Grupi hetimor ka nën hetim dhe dy ish-punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes, Dashnor Çaushin dhe Sokol Gjecin. Këtyre të fundit nuk iu është komunikuar ende një akuzë, ndërsa po verifikohet përfshirja e tyre mbi vendimmarrjet dhe dijenitë për demontimin e municioneve në fabrikën e Gërdecit. Sipas hetimeve, të pandehurit kanë punësuar në këtë fabrikë punëtorë, të cilët jo vetëm që nuk kanë pasur dijeni në lidhje me procesin e demontimit, por nga ana tjetër kanë punësuar edhe fëmijë. Gjithashtu, një nga arsyet për të cilat këta të fundit konsiderohen si përgjegjës në këtë proces ka të bëjë me faktin se këta të fundit nuk kishin krijuar kushtet e punës për demontimin e municioneve. Tragjedia e Gërdecit ka ndodhur më 15 mars të këtij vitit, ku 26 persona humbën jetën dhe mbi 300 të tjerë u plagosën, si pasojë e shpërthimit të fabrikës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›