Zbardhet rregullorja se si dyhet te veprohej me digat
Shkeljet e rënda që u bënë me administrimin e kaskadës së Drinit
Albert Gjoka
Publikimi i rregullores së hapjes së portave të hidrocentraleve ka nxjerrë problemet që kanë të bëjnë me menaxhimin e hidrocentraleve kryesore në vend. Që prej datës 27 dhjetor, Fierza, Komani dhe Vau i Dejës kanë arritur në pika kritike, ndërsa masat për mbajtjen në kontroll të tyre kanë nisur pas datës 2 janar të këtij viti. Thuajse deri në fundin e vitit të kaluar importohej energji, ndërsa gjiganti i prodhimit të energjisë në Shqipëri nuk prodhonte asnjë kilovat. Më pas ky HEC dhe dy hidrocentralet e tjera, përmes shkarkimeve të ujit, krijuan problemet e para, duke përmbytur mijëra shtëpi dhe dhjetëra e mijëra hektarë tokë. Duke iu referuar rregullores për funksionimin e hidrocentraleve, e cila është hartuar dhe miratuar në vitin 1988, në momentin që Fierza arriti në kuotat 285 metra absolute (288 relative), parashikon ngritjen e “Komisionit të Posaçëm”, i cili përbëhet nga përfaqësues të disa institucioneve. Ndonëse “bibla” e hidrocentraleve është bërë rreth 22 vjet më parë, duket se ajo nuk është marrë në konsideratë nga strukturat që menaxhojnë KESh-in në momentin e duhur.
Situata aktuale
Burimet zyrtare të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, në raportin e mbrëmshëm, raportuan këto kuota: Fierza është në kuotat 292.51 metra, kur kuota maksimale e lejuar është 296 metra; ndërkaq, prurjet në basenin e këtij hidrocentrali janë 915 metra kub për sekondë. Komani është në kuotat: 172.21 metra, kur kuota maksimale e tij është 175 metra. Prurjet në basenin e tij janë 450 metra kub për sekondë. Vau i Dejës është në kuotat 74.48 metra, kur kuota maksimale e saj është 76 metra. Ndërsa prurjet janë 300 metra kub për sekondë. Duke parë të dhënat në terren, nëse do t’i referoheshim rregullores së hapjes së portave të hidrocentraleve, do të kishim këtë situatë: Rregullorja përfshin pikën 3.3, në rastin e tretë: “Që në çastin kur prurja në Hidrocentralin e Fierzës, pasi ka qenë mbi 600 m3/sek, por jo më shumë se 1100 m3 sek, zbret nën 500 m3/sek shkarkimi i prurjeve të tre hidrocentraleve, bëhet si më poshtë:
3.3.1 Në Hidrocentralin e Fierzës: Niveli i liqenit mbahet në kuotën 289.0 m absolute (290.0 m relative), duke shkarkuar prurjen e tepërt nëpër tunelin nr.4. për të zvogëluar sa të jetë e mundur shkarkimet nga tuneli, centrali duhet të punojë me fuqi sa më të madhe”. Aktualisht, me këtë nivel prurjesh, Fierza është në 292.51 metra, pra, është 2.51 metra më e lartë sesa rregullorja e mësipërme. Ajo përcakton mënyrën e funksionimit dhe shkarkimeve edhe në dy HEC-et poshtë tij:
“3.3.2 Në Hidrocentralin e Komanit: Niveli i liqenit ngrihet deri në kuotën 170.0 m absolute. Shkarkuesit, derisa të arrihen kuota 170.0 m absolute, janë të mbyllur, kurse centrali është mirë të punojë me fuqi sa më të vogël, duke rritur në maksimum fuqinë e Vaut të Dejës dhe atë të Fierzës”. Por aktualisht Komani është në 172.21 metra orare; pra edhe në këtë rast kuotat janë 2.21 metra më lart sesa e parashikon ligji. Të vijojmë më poshtë me hidrocentralin fundor të kaskadës së Drinit, në Vaun e Dejë. Rregullorja thotë:
“3.3.3 Në Hidrocentralin e Vaut të Dejës: Niveli i liqenit ulet nga kuota 76.0 m absolute deri në kuotën 74.0 m absolute. Gjatë gjithë kohës prurjet që lëshon Vau i Dejës duhet të mos i kalojnë prurjet natyrale që do të vinin po të mos ishin ndërtuar hidrocentralet e Drinit. Për këtë arsye, shkarkuesit duhet të jenë të hapur në masë të tillë që për çdo 20 cm ngritje të nivelit të liqenit në Koman, niveli në liqenin e Vaut të Dejës të ulet me rreth 10 cm”. Aktualisht gjendja në liqenin e Vaut të Dejës është 74.48 metra, pra 0.48 metra mbi nivelin e lejuar.
Problemet
Pra, në të tria rastet gjendja është mbi parametrat e lejuar në të tria hidrocentralet e kaskadës së Drinit. Alarmi që dha profesori dhe ideatori i digave, Farudin Hoxha, ishte sinjali më i mirë që situatën kritike ta menaxhonin specialistët, dhe jo militantët e partive që janë emëruar në krye të këtyre strukturave. Prej katër ditësh janë thirrur të harruarit e deritanishëm, të cilët kanë marrë situatën në dorë dhe po punojnë për normalizimin e gjendjes në tri digat e kaskadës së Drinit. Dy ditë më parë u bë i njohur një detaj, i cili nuk ishte thënë: Në muajin qershor, pikërisht në pikun e fushatës elektorale në Shqipëri, Fierza ka qenë në pikat më kritike; në kuotat mbi 296 metra, por gjithçka është mbajtur e fshehtë. Sikur të mos mjaftonte ky rast, i cili mund të kishte përmbytur gjithë ultësirën e Shkodrës dhe Lezhës, fillimi i vitit 2010 shënoi pikën tjetër kritike, e cila po i kushton vendit tonë qindra milionë euro dëme.
Kur qeveria e merr parashikimin e motit nga Italia
Në të gjitha rastet kur flitet për menaxhimin e sistemit hidrik dhe të digave në Shqipëri, një nga komponentët më të rëndësishëm është marrja e të dhënave të sakta të parashikimit të motit. Një detaj të tillë e ka të përcaktuar qartë edhe rregullorja e vitit 1988, ku në dispozicion të Komitetit të Posaçëm janë dy shërbime meteorologjike: ai i Ministrisë së Mbrojtjes dhe i Akademisë së Shkencave. Por, në gjendjen aktuale, dy shërbimet meteorologjike kryejnë aktivitetin e tyre kryesisht në Tiranë ose në rrethet pranë saj. Për të mos folur për Institutin e Meteorologjisë së Akademisë së Shkencave, i cili ndodhet në grahmat e fundit për shkak të reformave të vazhdueshme në këtë institucion. Goditjen më të rëndë e mori në mesin e vitit 2008, kur u hoqën nga puna ekspertët më të mirë. Instituti u degdis në një vend për të punësuar militantë dhe aktualisht ka pak specialistë, të cilët mund të parashikojnë sasinë e reshjeve, ditët me diell, lagështirën, e kështu me radhë. Në një shkatërrim total, nuk flitet për degë të Institutit nëpër rrethe dhe veçanërisht në zona të tilla si në Shkodër, Vjosë, Shkumbin, apo gjetkë ku ka vepra të tilla hidrike, të cilat nesër mund të sjellin katastrofa të mëdha si kjo e sotmja.
Gjatë një inspektimi në Shkodër katër ditë më parë, kryeministri Berisha iu referua shërbimeve sinoptike të vendeve fqinje për të marrë informacion për motin e ditëve në vijim. Por, shërbimet e shteteve përreth nesh mund të jenë më të sakta, por ato nuk mund të na japin asnjëherë informacionin që do të na duhet për të mbrojtur digat e hidrocentraleve dhe ujëmbledhësve në Shqipëri nëse nuk kemi specialistët tanë.
SITUATA SIPAS RREGULLORES
Fierza – 2.51 metra mbi nivelin e lejuar
Komani – 2.21 metra mbi nivelin e lejuar
Vau Dejës – 0.48 metra mbi nivelin e lejuar
PËRBËRJA E KOMISIONIT TË POSAÇËM (Viti 1988)
Ministria e Energjetikës
Ministria e Ndërtimit
Ministria e Bujqësisë
Ministria e Mbrojtjes (shërbimit sinoptik)
Akademia e Shkencave (Institutit Hidrometeorologjik)
Komiteti i Digave të Mëdha
Komitetit Ekzekutiv të KP Shkodër
Specialistë të tjerë
KUOTAT DHE PRURJET (Ora 18.00, Komiteti Ndërministror i Emergjencave)
HEC K. max. lejuar
(m) K. orare
(m) Dif. Kuotave orare
(cm) Prurjet orare
(m3/sek)
Fierze 296.00 292.51 -1 915
Koman 175.00 172. 21 -9 450
V.Dejes 76.00 74.48 -2 300
Ulez+Shkopet 128.80 127.72 -1 230
SHKARKIMET NË HEC-e (Ora 18.00, Komiteti Ndërministror i Emergjencave)
Derdhje uji Fierze Koman V.Dejes Ulez Shkopet
Porta (m3/sek) 665 1300 1535 200 200
Agr (m3/sek) 450 520 565 64 80
Total (m3/sek) 1115 1820 2100 264 280
9 Janar 2010