E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lumi Buna i sulet Shkodrës, Drini urtësohet

Prurjet e lumit të Bunës shtojnë përmbytjet në qytetin e Shkodrës
Zvogëlimi i shkarkimeve nga hidrocentralet e kaskadës së Drinit ka pakësuar bilancin e dëmeve në qarkun e Shkodrës, por është rritur rreziku nga prurjet e lumit të Bunës, të cilat kanë shtuar sipërfaqet e përmbytura në qytetin e Shkodrës. Në disa zona të qytetit verior, ku deri ditën e djeshme ka pasur nivele të vogla, por mbrëmë ato kanë arritur në nivelin e 30 centimetrave. Ndërkaq, situata në lagjet që preken nga ujërat që vijnë nga Drini është përmirësuar. Në ndryshim nga mbrëmja e së enjtes, ku vetëm për pak orë u zhytën nën ujë mbi 1000 shtëpi dhe 4 mijë hektarë tokë, e premtja regjistroi dëme shumë herë më pak në zonën e Bahçallëkut, Bushatit apo Dajçit. Duke iu referuar të dhënave të orës 18:00 të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, raportohet për 2005 shtëpi dhe 10 270 hektarë tokë të përmbytura. E gjitha kjo lidhet me reduktimin e shkarkimeve nga portat dhe turbinat e Vaut të Dejës, të cilat nuk e kaluan kuotën e 2100 metrave kub për sekondë. Edhe gjatë ditës së djeshme është vështirësuar qarkullimi i mjeteve për të hyrë në qytetin e Shkodrës, gjë që e ka detyruar Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit që të mbajë nën kontroll trafikun dhe të fusë në përdorim edhe rrugën e vjetër.

Përmbytjet nga Buna
Nëse deri pasditen e djeshme u duk gjithçka pak më mirë sesa të enjten, mbrëmja ka shkaktuar frikë te banorët e qytetit të Shkodrës. Harta e zonave të përmbytura është shtuar për shkak të rritjes së nivelit të ujit nga lumi i Bunës. Edhe përrenjtë e vegjël që derdhen në këtë lumë i kanë shtuar prurjet, duke e çuar nivelin e ujit në disa lagje të qytetit të Shkodrës në rreth 30 centimetra. Për pasojë është bllokuar qarkullimi i këmbësorëve dhe mjeteve në këto zona. Banorët janë frikësuar mbrëmjen e së premtes kur kanë parë rritjen e nivelit të ujit. Shtabi i Emergjencës në Prefekturën e Shkodrës pohoi se situata nuk do të përkeqësohet, vetëm në rast se do të ketë reshje shiu gjatë natës.

Drini nën kontroll
Mbajtja nën kontroll dhe ulja e sasisë së ujit të shkarkuar nga diga e Hidrocentralit të Vau Dejës gjatë ditës së premte ka bërë që të ulet në mënyrë të ndjeshme numri i banesave dhe i sipërfaqeve të përmbytura. Burimet zyrtare të KESH-it raportojnë për shkarkime që nuk e kanë kaluar kufirin e 2100 metrave kub për sekondë, ndërsa dy ditë më parë ato ishin më të larta se 2350 metra kub për sekondë. Për 24 orët e fundit janë përmbytur 1120 hektarë tokë. Po ashtu, uji vërshoi edhe në 125 shtëpi, duke e arritur numrin e shtëpive të pabanueshme në këtë rreth në 2205 shtëpi. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave, por edhe mediat, raportuan një gjendje më të mira në komunat e Dajçit dhe Bushatit gjatë orëve të pasdites së djeshme. Gjithsesi, e gjithë fusha që preket nga ujërat e lumit Drin ka probleme. Sipas të dhënave zyrtare, uji rrezikon nënstacionin elektrik të Dajçit, ku për pesë centimetra uji mund ta dëmtojë, duke e nxjerrë jashtë përdorimit.

Masat
Komiteti Ndërministror i Emergjencave raportoi dje se janë zhvendosur deri mbrëmë në orën 17:00 rreth 3850 persona nga zonat e përmbytura. Numri më i madh i të evakuuarve është në komunën e Dajçit, në të cilin janë përmbytur 1187 shtëpi. Sipas të dhënave zyrtare, vazhdon intensivisht evakuimi i komunitetit, kryesisht në bashkinë Shkodër (lagjet Bahçallëk, Ajasem, Livade etj.). Po ashtu, gjatë operacioneve në terren janë evakuuar edhe 1067 krerë bagëti. Gjatë së premtes janë bërë disa ndërhyrje edhe nga ajri me helikopterë për t’u ardhur në ndihmë banorëve të rrezikuar nga përmbytjet. Shtabet e emergjencës, në bashkëpunim me strukturat vendore në komunën Dajç, u përcaktuan masat konkrete për të ndërhyrë me ndihma ushqimore, asistencë shëndetësore dhe plotësimin e kushteve më imediate për jetesë të komunitetit që është evakuuar brenda komunës, kryesisht në fshatin Pentar. Grupi Ndërministror njofton se pranë çdo kryetari komune janë atashuar forca policore dhe ushtarake në mënyrë që të ndërhyjnë në çdo kohë në raste rreziku.
Po ashtu, gjatë ditës së djeshme janë shpërndarë rreth 100 pako me ushqime në komunën Bushat, 300 pako në Dajç, 200 pako në Ana Malit, si dhe janë depozituar dhe magazinuar një sasi e konsiderueshme me paketa ushqimore pranë bashkisë Shkodër.
Aktualisht janë të akomoduar 214 persona të fshatit Kuç, komuna Guri Zi në konviktin e Shkollës Industriale të qytetit Shkodër, ndërsa në hotel “Rozafa” Shkodër janë akomoduar 76 persona nga lagjja “Salo Halili”.

Dëmtohet ura mbi Drin, ndryshon aksi i lëvizjes së mjeteve

KUKËS - Një këmbë e urës mbi lumin Drin në qytetin e Kukësit ka pësuar dëmtime ditën e djeshme për shkak të presionit të ujit të prurjeve të hidrocentralit të Fierzës.
Dëmtimi ka ndodhur rreth orës 09:30, kur shkarkimet e ujërave nga porta e tunelit 4 të Hidrocentralit të Fierzës ishin tepër të fuqishme. Mësohet se njëra prej 6 këmbëve të urës mbi Drin, që lidh dhe Bajram Currin me pjesën tjetër të Shqipërisë, është dëmtuar dhe uji ka krijuar një vrimë të madhe në mes të këmbës. Pasi është dhënë ky informacion, specialistët e HEC-eve kanë vendosur që të ndërpresin për disa minuta shkarkimet nga kjo portë për të mos rritur rrezikshmërinë. Një dëmtim i tillë ishte paralajmëruar që prej ditës së enjte. Disa kilometra larg vendit ku ka ndodhur dëmtimi dhe konkretisht në Qafë-Mali, është ngritur një postbllok policie, i cili nuk lejon automjetet të kalojnë mbi urë pasi është e pasigurt dhe mund të jetë e rrezikshme. Policia u sugjeron drejtuesve të mjeteve që të lëvizin në aksin Fushë-Arrës – Kukës – Has.

DËSHMITË

Grua shkodrane: “Na ka hyrë uji brenda. 40 centimetra ka hyrë në shtëpi te ne, që nuk ka hyrë kurrë. Të tëra gjërat i ka mbyt, po ku me ik? S’kena marrë as ndonjë tesh, kemi dalë lakuriq. Çfarë me thënë? Si kjo përmbytje... unë kam 30 vjet këtu dhe nuk e kam parë ndonjëherë, si kjo punë s’ka bërë vaki. Gjithçka ka shkuar dëm, ne s’kemi pesë lekë në xhep, shqip”.

Plaku nga Shkodra: “Mua, të gjitha çfarë kam pasur në shtëpi më kanë dalë jashtë përdorimit. Në atë të parë brenda në shtëpi, uji deri në mes shkon”.

SITUATA ORË PAS ORE

Ora 19:00
Tokë e përmbytur Persona të evakuuar Shtëpi të përmbytura
10270 ha 3850 persona 2205 shtëpi

Ora 13:00
10270 ha 3752 persona 2175 shtëpi

Ora 08:00
10170 ha 3752 persona 2110 shtëpi

E enjte
Ora 19:00
9150 ha 3407 persona 2080 shtëpi

Situata në Shkodër (Ora 19:00, Komiteti Ndërministror i Emergjencave)

Njësia vendore Tokë e përmbytur Persona të evakuuar Shtëpi të përmbytura
Bashkia Shkodër 250 ha 148 320
Komuna Dajç 2000 ha 2000 1187
Komuna Ana Malit 1370 ha 248 180
Komuna Velipojë 2000 ha 25 50
Komuna Bërdicë 1800 ha 370 130
Komuna Guri Zi 650 ha 730 200
Komuna Bushat 1700 ha 312 130
Komuna Qendër, M.Madhe 500 ha 10 8
Gjithsej 10270 ha 3850 persona 2205 shtëpi

e

9 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›