E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojaxhi: Do të prishim ndërtimet pa leje në kalanë e Krujës dhe Lezhës

Vendimet Inspektorati i Ndërtimit do të ndërhyjë gjatë verës

I ftuar në tryezën e trashëgimisë, Gjergj Bojaxhi, në funksionin e kreut të Inspektoratit të Ndërtimit, ka siguruar se do të prishen ndërtimet pa leje që cenojnë monumentet e kulturës. Kjo është në fakt edhe një pikë thelbësore e promemories së hartuar nga specialistët: të çlirohen monumentet nga ndërtimet pa leje a po me leje të jashtëligjshme. Bojaxhi iu referua rasteve flagrante të ndërtime në kalanë e Krujës, në kalanë e Lezhës dhe pranë varrit monumental të Skënderbeut po në këtë qytet. “Në një vend ku njerëzit ndërtojnë objekte pa leje, dyqane apo shtëpi pranë varrit monumental të Heroit tonë Kombëtar, nuk mendoj se ka të bëjë më me çështjen e edukimit të brezave për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por do të thotë se ka individë që nuk e kanë frikën e ligjit dhe nuk e dinë se çfarë do të thotë ta zbatosh atë. Ne si Inspektorat i Ndërtimit kemi filluar punën në këto zona dhe gjatë periudhës së verës do të bëjmë pastrimin e këtyre objekteve. Inspektorati është shumë i ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje dhe jemi të hapur për çdo lloj informacioni shtesë që mund të keni në muajt apo javët e ardhshme dhe ne do ta kemi si pjesë thelbësore pastrimin e këtyre zonave”, ka theksuar Bojaxhi. Sipas tij, vendimet për prishje në zonat e përmendura më sipër janë marrë tashmë dhe gjatë verës do të veprohet. Sipas tij, struktura që drejton është e gatshme të bashkëpunojnë qoftë me shoqërinë civile apo me Institutin e Monumenteve të Kulturës për çdo informacion që mund të kenë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›