E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtrimi me shitjen e naftës në Fier, zbardhet skema e transaksioneve

SHKRUAN: Habjon Hasani 20-09-2011 12:58

Kompania fantazmë “Mobil Albania”, e zbuluar nga prokuroria e Fierit, e cila bënte blerje nafte te koncesionari “Stream oil”, duket se ka patur vetëm një rol, atë të justifikimit të transaksioneve bankare pas shitjes së naftës. Analiza e prokurorëve të grupit të Task Forcës në prokurorinë e Fierit ka zbuluar se rruga që kanë ndjekur paratë e kësaj kompanie fiktive në banka kanë nisur me “Stream Oil” dhe kanë përfunduar sërish me “Stream Oil”. Kompania fiktive e regjistruar në emër të Selman Doçit prej fillimit të vitit 2010, e quajtur “Mobil Albania”, ka bërë blerje të nënprodukteve të naftës pranë shoqërisë “Stream Oil” në një vlerë prej 50 milionë lekësh. Pasi ka blerë këto sasi nga “Stream Oil”, kompania fiktive “Mobil Albania” shiste produktin e blerë te disa ndërmarrje të ndryshme të prodhimit industrial, që i përdorin si lëndë djegëse nënproduktet e naftës. Në momentin e shitjes së naftës te këto kompani, të gjitha fitimet e realizuara nga kompania fiktive “Mobil Albania” depozitoheshin në llogarinë e saj rrjedhëse në Bankën Ndërkombëtare Tregtare në Fier. Pikërisht ky ka qenë dhe momenti më i dyshimtë i të gjithë operacionit. Prokuroria ka arrestuar të dyshuarin Ervis Sinanaj si “trurin” e operacionit financiar të kompanisë, që në letra figuronte e Selman Doçit. Vëllai i Sinanajt nga ana e tij është drejtor në Bankën Ndërkombëtare Tregtare në filialin e Fierit dhe duket se ka drejtuar operacionin e “humbjes së gjurmëve” të fitimit të arkëtuar nga kompania fiktive. Provat e mbledhura nga organi i akuzës tregojnë se shumat e lekëve të kaluara në llogarinë e “Mobil Albania” më pas janë transferuar në llogarinë rrjedhëse të kompanisë “Stream Oil”, duke bërë kështu një cikël të plotë të kalimit nga “Stream Oil’ te “Stream Oil”. Prokuroria ka rënë në gjurmët e kësaj skeme pas veprimeve të ndërmarra nga drejtoria Tatimore e Fierit, e cila nisi një kontroll dokumentacioni pas sinjalizimit që i ka ardhur nga QKR-ja e Fierit. Kjo e fundit ka nisur ekspertimin e dokumentacionit të kompanisë “Mobil Albania” pas kërkesës së kësaj të fundit për të mbyllur aktivitetin. Pasi ka administruar kërkesën e kompanisë fiktive për mbylljen e aktivitetit, QKR-ja i ka kërkuar tatimeve të dhëna për kompaninë, ndërsa të gjitha faturat e shitjeve të bëra nga kompania fiktive “Mobil Albania”, e cila kërkonte shpalljen e pezullimit të kompanisë, rezultonin të gjitha pa paguar detyrimin në tatime. Inspektorët e tatimeve kanë thirrur dhe kontaktuar pronarin “në letra” të kompanisë “Mobil Albania”, Selman Doçi, dhe i kanë bërë të ditur se nuk mund të mbyllte kompaninë në kushtet kur kishte arkëtuar 50 milionë lekë dhe kishte për t’i paguar tatimeve shumën e 15 milionë lekëve. Pasi ka marrë këtë ultimatum, Selman Doçi ka trokitur vetë në prokurori ku ka bërë denoncimin e të gjithë skemës dhe ka treguar në mënyrë të detajuar të gjithë personat që e kanë kontaktuar dhe e kanë instruktuar sit ë krijonte kompaninë fiktive. Ai mësohet se ka deklaruar në prokurori se nga personat që e kishin instruktuar i kishin dhënë vetëm 200 mijë lekë të reja në total dhe i kishin vënë herë pas here në dispozicion dokumente, që ai nuk i kuptonte, për t’i firmosur dhe në fund e kishin instruktuar që të paraqitej në QKR dhe të aplikonte për pezullimin dhe mbylljen e aktivitetit të kompanisë. Selman Doçi është pronari “në letra” i kompanisë “Mobil Albania”. Ai jeton në një fshat të thellë të Dibrës dhe nga hetimi i prokurorisë rezulton se të arrestuarit e tjerë janë në të vërtetë njerëzit që kanë tërhequr “fijet” e kësaj skeme mashtruese. Prokuroria e Fierit bën të ditur se aktualisht ka nën hetim dhe të tjerë persona që kanë lidhje me skemën mashtruese dhe është duke verifikuar implikimet e tyre në lidhje me këtë histori mashtrimi.

Të arrestuarit për skemën e mashtrimit me naftën:

Besnik Murataj, i dyshuar për veprat penale të “Pastrimit të produkteve të veprës”, në bashkëpunim, “Mashtrimit”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 287/2 dhe 143/2 të K.Penal;

Dylejman Qerimi, i dyshuar për veprat penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, në bashkëpunim dhe “Mashtrimit”, në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 287/2 dhe 143/2 të K.Penal;

Ervis Sinanaj, i dyshuar për veprat penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, në bashkëpunim, “mashtrimit”, në bashkëpunim, dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar përkatësisht nga nenet 287/2, 143/2 dhe 186 të K.Penal;

Vangjel Profka, i dyshuar për veprat penale të “Moskallëzimit të krimit”, “Falsifikimit të formularëve vulave dhe stampave”, dhe “Deklarimit të rremë përpara prokurorit”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 300, 290/2 dhe 305/a të K.Penal;

Sotiraq Sollaku, i dyshuar për veprat penale të “Moskallëzimit të krimit”, “Falsifikimit të formularëve, vulave dhe stampave”, dhe “Deklarimit të rremë përpara prokurorit”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 300, 290/2 dhe 305/a të K.Penal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›