E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zbardhet vrasja e 33-vjeçarit në Shkodër, arrestohen dy vëllezër

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Fatmir Lleshaj tha sot gjatë një konference për shyp me gazetarët se është zbardhur vrasja e 33-vjeçarit Ramazan Mataj, e ndodhur në 5 janar të këtij viti. Drejtuesi i kësaj policie, në prani edhe të zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimit Ledio Ibrahimi dhe prokurorit të rrethit Albert Murçaj, bënë prezente rezultatet e një pune hetimore të kryer në kuadër të operacionit policor të koduar “Profili i rremë”.

“Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, menjëherë pas njoftimit për ngjarjen e ndodhur në fshatin Dragoç, ngriti një grup të posaçëm hetimor dhe së bashku me shërbime të shumta të Policisë së Shkodrës, të Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër dhe të Drejtorisë për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, shkuan në vendin e ngjarjes.

Si rezultat i një hetimi intensive disaditor, në kuadër të operacionit policor të koduar “Profili i rremë”, grupi hetimor gjeti prova të rëndësishme që çuan në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e  autorit. Gjithashtu, gjatë operacionit u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar dhe me disa pamje filmike ku shfaqej autori, duke ecur në rrugë.

Nga hetimet rezultoi se shtetasi Arjon Hasaj, 29 vjeç, banues në Dragoç, për motive të dobëta, ka organizuar dhe ka kryer vrasjen e shtetasit Ramazan Mataj. 29-vjeçari, nëpërmjet llogarive të rreme në rrjete sociale, ka komunikuar me shtetasin Ramazan Mataj, për ta nxjerrë në pritë në fshatin Dragoç, ku dhe dyshohet se e ka vrarë”, thotë Lleshaj.

Sipas, kreut të kësaj policie, nga hetimet dyshohet se shtetasi Ramazan Mataj kishte ndikuar për prishjen e marrëdhënieve bashkëshortore të motrës së autorit.

“Autori  i dyshuar është ndihmuar nga vëllai i tij, shtetasi Klisman Hasaj, për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen dhe për të fshehur armën e krimit. Si rezultat i kontrolleve u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit me të cilën dyshohet se autori ka kryer vrasjen. Pas krimit, dy vëllezërit e fshehën armën në një zonë të pyllëzuar dhe më pas e groposën në tokë në oborrin e banesës. Në përfundim të hetimeve u bë arrestimi  i shtetasve: Arjon Hasaj, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”; Klisman Hasaj, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje””, thekson Lleshaj.

Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›