Rikthehet në skenën teatrore Filumena Marturano
Filumena Marturano rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar edhe këtë fundjavë. Kryevepra e dramaturgut të njohur italian Eduardo De Filipo, duket se ka njohur suksesin sërish në kryeqytetin shqiptar, pasi ajo vijon të shfaqet për publikun edhe këtë fundjavë. Nga zyra e shtypit pranë TK mësohet se vepra napolitane, ka qenë një ndër veprat më të suksesshme në skenën teatrore. Ajo ka arritur që të renditet mes veprave të preferuara nga publiku. Historia e dramës bën fjalë për Filumena Marturanon, një ish-prostitutë që jeton prej njëzetepesë vjetësh si gruaja e pakurorëzuar e Domeniko Sorianos, një napolitan borgjez dhe i kamur.
Filumena ka rritur në sekret të plotë tre fëmijë me tre burra të ndryshëm. Pas një bashkëjetese prej shumë vitesh, ajo e detyron atë të martohet me të zyrtarisht, duke bërë gjoja sikur të ishte në prag të vdekjes. Domeniko Soriano pranon të martohet, por gjithçka ishte vetëm një lojë e saj. Filumena e zbulon arsyen e kësaj loje, që kishte nisur për ti dhënë një mbiemër tre fëmijëve të saj, atë të Domeniko Sorianos. Regjisori i shfaqjes është Albert Minga, ndërsa në rolet kryesore interpretojnë aktorët Yllka Mujo, Bujar Asqeriu, Artistja e Popullit Tinka Kurti, Vangjel Toçe, Neritan Liçaj, Gjergji Mena, Arben Derhemi, Fadil Kujofca, Nigela Ruka etj. Skenografia dhe kostumet janë përgatitur nga mjeshtri i skenës Artisti i Popullit, Agim Zajmi. Kjo vepër megjithëse është shkruar në vitin 1944 vazhdon të vihet me sukses të jashtëzakonshëm në shumë skena evropiane, por edhe ato botërore. Ndërkohë që pas kësaj vepre në skenën teatrore do të vijë premiera Të gjithë me huqe,me regji të Gëzim Kames. Shfaqja mendohet të shfaqet për publikun në datën 2 maj. Titulli origjinal i kësaj vepre është Toc-Toc e dramaturgut francez Laurent Baffi. Kjo komedi vjen e përshtatur në gjuhën shqipe nga Nonda Varfi dhe Viktor Bakillari. Pas vënies në skenë të dramës Pjata prej druri, dhe Kohë për tu çmendur, regjisori Gëzim Kame vjen dhe këtë herë në Teatrin Kombëtar, duke trajtuar problematika të cilat shqetësojnë shoqërinë tonë. Historia e një neuropsikiatri, i cili njihet për aftësinë e tij për zhdukjen dhe shërimin e fobive të pacientëve, do të vijë në skenë për publikun nga një trupë aktorësh të njohur të skenës si: Rajmonda Bulku, Roland Trebicka, Fatos Sela, Olta Daku, Ermela Teli dhe Genc Fuga. Edhe komedia franceze, ka lindur si reagim i shqetësimeve të përditshme dhe Kame, ka menduar ta përshtatë atë me ambientin shqiptar.