E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Basha, shkelje të rënda gjatë tenderimit, nuk u gjykua se u fsheh pas procedurave

Deputeti socialist akuzon qeverinë për rritje taksash në sistemin e drejtësisë
Partia Socialiste ka konstatuar shkelje të rënda të ish-ministrit të Transportit, Lulzim Basha gjatë procesit të tenderimit të rrugës Durrës-Kukës. Në një reagim për çështjen Basha, nënkryetari i grupit kuvendor socialist, Erjon Braçe deklaroi se ministri nuk u gjykua për akuzën, por u fsheh pas procedurave, ndërkohë që Prokuroria me fakte vërtetoi shkeljet. Në emër të PS, Braçe ka kërkuar që prokuroria të faktojë në terren akuzat ndaj ish-ministrit të Transporteve Basha, duke theksuar se prokuroria ka hetuar vetëm procedurat e tenderëve. Këtë rrugë të rëndësishme, e cila nuk përfundon në qershor, do ta realizojmë ne, po pa vjedhje. Prokuroria ka mundësi të provojë në terren diferencën deri në 700% të çmimeve të materialeve të ndërtimit që po përdor klienti i qeverisë i kontraktuar prej saj, apo të verifikojë në terren atë që Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton që volumet e punës të parashikuara apo të reklamuara nga kompania janë fiktive, u shpreh Braçe gjatë një konference për shtyp. Braçe vijon më tej duke akuzuar qeverinë se ka abuzuar me çmimet për rrugën Durrës-Kukës dhe ka tejkaluar vlerën e kontratës. Prokuroria ka mundësi të hetojë atë që është konstatuar qartësisht nga KLSH, si abuzim skandaloz në segmentin Milot-Rrëshen, por mbi të gjitha në Kalimash-Kukës-Morinë ku tenderët kanë qenë thellësisht korruptiv, por edhe urdhri oral i ministrit Basha ka 2-fishuar paligjshmërinë dhe mbi të gjitha abuzimin, ka theksuar Braçe. Për PS-në, Gjykata e Lartë ka marrë një vendim procedural për afatet e shtrirjes së hetimit dhe nuk ka gjykuar asnjë ditë akuzën e ngritur nga ana e prokurorisë. Braçe pohoi se ministri Basha nuk zgjodhi të provojë pafajësinë e tij. Por përkundrazi ashtu si çdo kriminel tjetër i rëndomtë, hajdut apo vrasës zgjidhi të fshihet pas procedurave, nënvizoi Braçe, gjatë konferencës për shtyp, duke vazhduar më tej se qeveria ka abuzuar me çmimin për rrugën, duke tejkaluar vlerën e kontratës.  
Berisha ka rritur me 200% taksën për drejtësinë
Gjithashtu, nënkryetari i grupit parlamentar të PS, ka akuzuar qeverinë Berisha për rritje të taksës për drejtësinë. Sipas Braçes, çdo kopje vendimi apo çdo dokument që kërkohet nga të interesuarit pranë gjykatës, paguhet 2000 lekë nga 1000 lekë që ishte më parë, ndërsa shtoi se, kjo është zhvatja që qeveria po i bën çdo shqiptari në kushtet e krizës së rëndë ekonomike, kur mungojnë të ardhurat familjare. Sali Berisha nuk ka para dhe po merr borxh çdo ditë nga bankat, përmes bonove të thesarit, para të ruajtura nga depozitat e qytetarëve. Prej marsit 2009, qeveria e Sali Berishës ka rritur me 2-fish, 2 herë apo 200%, në disa raste dhe më tepër, të taksave e tarifave për veprime e shërbime që kryhen nga administrata gjyqësore, prokuroria, apo zyrat noteriale, ka deklaruar ai. Ndër të tjera ai ka shtuar se e njëjta rritje 200% shoqëron të gjitha tarifat në zyrat përmbarimore, veprimet që kryhen nga zyrat noteriale. Natyrisht që kjo është taksë që shteti u merr qytetarëve që kërkojnë drejtësi, taksë që është përtej taksës së korrupsionit që Sali Berisha ka legalizuar tashmë në drejtësi. Prokuroria ka mundësi të verifikojë në kushtet e flagrancës vjedhjen në terren si faturë e shkeljes së rëndë të procedurave të prokurimit publik. Të verifikojë çmimet dhe volumet, si dhe të verifikojë në kushtet e flagrancës, në zyrat e thesarit të qeverisë dhe kontabilitetin e kompanisë, tejkalimin me 100% të vlerës së kontratës nga 418 mln euro në mbi 800 mln euro të paguara, ka përfunduar Braçe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›