Zbatimi i ligjit antimafia, qeveria ngre komision të posaçëm

Kryeministri përcakton direktivat Zbatimi i ligjit antimafia, i cili që nga dita e diel ka hyrë në fuqi, do të monitorohet nga një komision i posaçëm, ngritja e të cilit u njoftua dje gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD, nga kryeministri Sali Berisha. Kreu i qeverisë shtoi se ky ligj është i një rëndësie tepër të veçantë, pasi është i vetmi instrument që do të bëjë të mundur çmontimin e mafies. Ai theksoi se po bëhen përpjekje të mëdha për të çmontuar me forcën e ligjit pasuritë e mëdha të përvetësuara nga pushtetarët e të gjitha niveleve gjatë këtyre 18 viteve që kanë bërë batërdinë mbi zonat publike. “Ligji për konfiskimin e aseteve të krimit të organizuar, hyn tani në fuqi. Ndërkohë, do të ngrihet një komitet i veçantë për të mbikëqyrur zbatimin e këtij ligji, zbatim i cili është jetik e vendimtar për çmontimin e mafies, konsolidimin e paqes, sigurisë e stabilitetit në vend. Përpjekje të mëdha po bëhen për të çmontuar, me forcën e ligjit, pasuritë e mëdha të përvetësuar nga pushtetarët e të gjitha niveleve, gjatë këtyre 18 viteve, të cilët kanë bërë batërdinë mbi pronat publike të këtij vendi. Unë ju kam deklaruar se Mali i Dajtit është më i vogël sesa falsifikimet e përbindshme që kanë bërë në zonat më turistike, më të çmuara, më të kushtueshme të vendit”, deklaroi kryeministri.Kreu i ekzekutivit, i apeloi të gjithë qytetarëve që disponojnë të dhëna në lidhje me këtë fakt, t’i dorëzojnë ato në interesin më të mirë të vendit.“Një qytetar nga Vlora më dërgoi një mesazh. Agjencia përkatëse mori kontakt me të dhe ai dorëzoi dokumente që faktojnë katërçipërisht mënyrën e grabitjes dhe plaçkitjes së rreth 500 mijë metra katror sipërfaqe, në pjesën më të bukur të bregut të këtij vendi.Dua t’i shpreh mirënjohjen këtij qytetari dhe ta garantoj atë se qeveria do të vendosë për shpërblimin e tij. Ftoj të gjithë qytetarët që disponojnë të dhëna, t’i dorëzojnë ato, në interesin më të mirë të vendit. Ata që kanë grabitur e plaçkitur, kanë përdorur edhe pushtetin e tyre për të zhdukur, për të mykur, për të pluhurosur sa më shumë dokumentet” u shpreh më tej kreu i qeverisë.Gjithashtu, Berisha i bëri apel deputetëve të votojnë moratoriumin e skafeve.“Moratoriumi që ndodhet në parlament pret votën e deputetëve për të dërguar mesazhin më të shkëlqyer të vendosmërisë së autoriteteve shqiptare për luftën me 0 tolerancë ndaj krimit të organizuar”, u shpreh Berisha.Ndërkaq, lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave, kryeministri evidentoi progresin e jashtëzakonshëm në këtë proces. Kryeministri pohoi se janë plotësuar një seri kushtesh që kanë të bëjnë me plotësimin e kërkesave të udhërrëfyesit. Berisha e cilësoi këtë si çështjen kryesore të axhendës e qeverisë dhe të parlamentit.“çështja kryesore në axhendën e qeverisë dhe të parlamentit është plotësimi i kërkesave të udhërrëfyesit për heqjen e vizave. Unë po vij këtu nga mbledhja e Komitetit Ndërministror për liberalizimin e vizave dhe mund t’ju informoj me kënaqësi se, në tërësi, ky proces po trajtohet me përgjegjësinë më të madhe. Kjo është e kuptueshme. Në rrafshin kombëtar, nuk ka asgjë tjetër që prek direkt për mirë, më shumë qytetarët shqiptarë, sesa heqja e vizave”, tha kryeministri. Në Shqipëri që prej ditës së diel ka hyrë në fuqi një ligj sipas të cilit pasuritë që dyshohet se janë vënë në mënyrë jo të ligjshme sekuestrohen.çdo pasuri mbi të cilat organet kompetente kanë dyshime se janë vendosur në mënyrë të jashtëligjshme do të sekuestrohen, ndërsa poseduesi duhet ti provojë në gjykatë prejardhjen e saj....