E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbatimi i planit terren me komunat

23/01/2012  Plani Urbanistik i Tiranës. Sistemimi i ndërtimeve të reja mes bashkisë së madhe e komunave

Në shkurt nis konsulta me qytetarët. Ndarja e zonave të urbanizuara që janë në studim

Zhvillimi infrastrukturor dhe ekonomik i Tiranës nuk do të përqendrohen vetëm rreth qendrës së kryeqytetit, sikundër ka ndodhur deri më sot, por do të zhvendoset drejt periferisë, e cila përbën edhe potencialin më të madh zhvillues, fakt ky që konfirmohet edhe me detajimet e bëra në planit të ri urbanistik. Grupi strategjik i ekspertëve tashmë ka përcaktuar zonat ku do të bëhen investimet publike, zonat ku do të zhvendosen e bizneset, ndërhyrjet në infrastrukturën rrugore dhe krijimin e vijës së gjelbër, ndarjen e lejeve të ndërtimit. Arkitektët e grupit hartues pohojnë se në të gjitha këto detaje projekti i ri urbanistik shkrin qendrën me komunat e kryeqytetit, duke bërë të mundur kështu përfshirjen e tetë komunave dhe bashkive përreth si pjesë të zhvillimeve në tërësi. Plani pritet të jetë gati në muajin maj, ndërsa zbatimi i projekteve do të nisë në fund të vitit. Fillimisht do të veprohet me rehabilitimin e lumit të Tiranës.

Lejet e ndërtimit

Plani urbanistik do të sistemojë më tej procedurat burokratike të dhënies së lejeve të ndërtimit, që janë shndërruar në objekt të vazhdueshëm polemikash prej vitesh. Ky plan do të sistemojë kriteret e përcaktimit të zonave ku do të ndërtohet dhe do të përmirësojë bashkëveprimin me komunat, në mënyrë që këto të fundit të mos shihen vetëm si njësi vendore që japin leje ndërtimi kuturu, duke bllokuar zhvillimin e Tiranës. Pjesë të caktuara të kryeqytetit do të jenë të përjashtuara nga zonat e ndërtimit, ku konkretisht do të përfshihen zona të tilla si ato të trashëgimisë kulturore, ato me ndjeshmëri mjedisore, ato që kanë prezencë të infrastrukturës së rëndësishme. Gjithashtu plani do të rehabilitojë edhe zhvillimet e sektorit turistik dhe atij të prodhimit e shërbimeve që duhet të marrin qytetarët.

Zona e urbanizuar

Në mbledhjen e grupit strategjik, që u zhvillua në fund të javës që lamë pas, u bënë detajimet lidhur me ndarjen e zonave të urbanizuara që do të ketë kryeqyteti shqiptar. Në të gjithë studimin e kryer është menduar që zona e urbanizuar e qytetit, e rajonit të Tiranës, do të kufizohet: në pjesën lindore nga Parku i Dajtit, në pjesën jugperëndimore nga ai që ne synojmë ta kthejmë në një park periferik për qytetin e Tiranës (kodrat e Stërmasit, diku në Vaqar, Farkë dhe Vaqar, i kapin të dyja), si dhe është rënë dakord të identifikohet një gjurmë në pjesën perëndimore, meqenëse pjesa perëndimore e Tiranës, ndonëse është e urbanizuar, nuk ka shërbime të mira nga pikëpamja e gjelbërimit. Janë identifikuar hapësirat e mundshme, diku afër rezervuarit të Kasharit, për një mushkëri të gjelbër në pjesën perëndimore. Po ashtu është rënë dakord edhe për tri parqe qyteti: parku i Liqenit, i Farkës dhe Paskuqanit, ku ditët e fundit po shihet mundësia që të lidhet edhe me liqenin e Zall-Herit, në mënyrë që të mundësohet një park disi më i konsiderueshëm në pjesën veriore të Tiranës. Autostrada Tiranë–Durrës është parë si zona më e mundshme potencialisht për të përmbledhur zhvillimin ekonomik.

Qytetarët pjesë e vendimmarrjes

Projektimet e bëra nga ekspertët do të shtrohen për diskutim me qytetarët. Sikundër ndodhi me buxhetin, Bashkia gjatë muajve shkurt e mars do të hapë konsultimet me qytetarët për të gjitha projektet e parashikuara në planin e ri urbanistik, zbatimi i të cilave pritet të marrë jetë gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit.

Plani i ri urbanistik synon:

- Zgjerimin e bulevardit kryeqytetas deri te stacioni i trenit dhe përgjatë lumit të Tiranës.

- Rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”, krijimin e parkimeve dhe akseve të nëndheshme të qarkullimit.

- Realizimin afatgjatë të projekteve për trafikun, siç është ndërtimi i unazës së madhe.

- Krijimin e hapësirave të gjelbra dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës.

- Sistemimin dhe zhvillimin e infrastrukturës së brendshme të lagjeve të kryeqytet.

- Sistemimin e linjave urbane dhe interurbane së bashku me ndërtimin e tramvajit për transportin publik.

- Tramvaji do të realizohet në dy drejtimet kryesore: Kinostudio–Kombinat dhe drejtimin veri-jug, ku do të përfshihet edhe arteria që tashmë do të projektohet nga hekurudhë në rrugë, për tramin nga stacioni aktual i trenit, te stacioni i ri në dalje të Tiranës në zonën e Laprakës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›