E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatos Nano delegat i PS-së në qarkun e Tiranës

23/01/2012  Ish-kryetari i partisë figuron në listën e miratuar dje nga Asambleja socialiste

Të deleguarit nga kryesia nuk mirëpriten nga drejtuesit lokalë në rrethe

Ndarja e zonave përgjegjëse për secilin nga anëtarët e kryesisë së PS-së ka sjellë mjaft pakënaqësi në radhët e Asamblesë Kombëtare. Një grafik i paracaktuar nga lidershipi socialist, i shoqëruar me ndryshim të zonave që mbulonin deri më tani këta anëtarë si dhe delegimi i zyrtarëve të rinj në qytete aspak të njohura për ta, krijoi jo pak debat në mbledhjen e djeshme të Asamblesë Kombëtare. Madje, në këtë ndarje, e miratuar në këtë mbledhje, u pa qartë ndarja fiktive e anëtarëve të këtij forumi, ku jo pak përfaqësues socialistë, që nuk marrin pjesë në asnjë nga mbledhjet që zhvillon forumi, iu ndanë zonat e mbulimit. Veçohet këtu ish-kryetari socialist Fatos Nano, i cili së bashku me Ylli Bufin e Rexhep Mejdanin janë të deleguarit për Tiranën.

Debati

Partia Socialiste me mbledhjen e djeshme ka formalizuar nisjen e procesit parapërgatitor për zgjedhjet parlamentare të vitit që vjen. Në funksion të këtij procesi lidershipi socialist kishte bërë dhe ndarjen e zonave për secilin nga anëtarët e kryesisë së PS-së, të mbështetur dhe nga anëtarët e Asamblesë Kombëtare të kësaj partie. Por gjatë mbledhjes së Asamblesë, ku do të diskutohej dhe miratohej ky grafik, u shfaqën mjaft pakënaqësi për shkak të mënyrës se si ishte përcaktuar kjo ndarje nga ana e lidershipit socialist. Debatet, edhe pse të paorganizuara, lidheshin drejtpërsëdrejti me emrat e deleguar pranë çdo KZAZ-je. Por duke mos i dhënë të drejtën të gjithë anëtarëve të Asamblesë për të shfaqur mendimin e tyre mbi këtë pikë të rendit të ditës. Duke sqaruar në formën e një urdhri për të gjithë pjesëmarrësit në takim, kreu socialist u bëri të qartë atyre se ndarja lidhet me strategjinë e re të PS-së, ku çdo strukturë e saj të jetë sa më efektive në komunikimin me njerëzit. Madje, e gjithë kjo nismë synon në paraqitjen sa më në detaje të programit të ri të partisë, si dhe plotësimin e mëtejshëm të tij. Për këtë arsye kreu i PS-së ka kërkuar nga forumi që të respektojnë detyrat e ngarkuara. Pas kësaj ndërhyrjeje ka vijuar miratimi i pikave të rendit të ditës, duke u pranuar dhe ndarja e zonave, ku në disa raste shfaqet krejtësisht fiktive. Ish-kryetari Nano është i deleguari për Tiranën, përcaktim ky që jo vetëm është i pakuptueshëm, por nuk pritet të japë rezultat sa kohë që vetë Nano nuk merr pjesë në asnjë nga takimet e strukturave të PS-së. Madje, dhe vetë anëtarët e Asamblesë në çastin e leximit të kësaj ndarjeje e kanë përcjellë me të qeshura. Më parë ky grafik ishte diskutuar dhe miratuar nga kryesia e PS-së, e mbledhur në mëngjesin e djeshëm.

Vendimi

Ndër të tjera Asambleja Kombëtare miratoi dje dhe kuotat vjetore të anëtarëve të PS-së për vitin 2012. Kështu, sipas këtij vendimi ndarja e kuotave për çdo kategori do të jenë:

Studentët, pensionistët, të papunët, punonjësit e fshatit do të paguajnë 200 lekë; të punësuarit në sektorin shtetëror dhe aktivitetin e vogël privat do të paguajnë 1000 lekë; anëtarët e këshillave të bashkive të kategorisë së tretë, të komunave, kryepleqtë do të paguajnë 1500 leke; të bashkive të kategorisë së dytë do të paguajnë 2000 lekë; të bashkive të kategorisë së parë do të paguajnë 2500 lekë; kryetarët e komunave, nënkryetarët e bashkive të kategorisë së dytë, të tretë dhe sekretarët e bashkive e komunave do të paguajnë 5000 lekë; kryetarët e bashkive të kategorisë së dytë, nënkryetarët e bashkive të kategorisë së parë do të paguajnë 10000 lekë; të bashkive të kategorisë së parë do të paguajnë 20000 lekë; biznesmenët do të paguajnë 20000 lekë; deputetët socialistë (kuota mujore) 6000 lekë

Delegatët e Tiranës

Edi Rama

Fatos Nano

Ylli Bufi

Rexhep Mejdani

Sajmir Tahiri

Arta Dade

Ndryshimet

Delegatët Ishte Shkon

Erion Braçe Berat Korçë

Ben Blushi Korçë Elbasan

Ditmir Bushati Tiranë Pukë

Valentina Leskaj Elbasan Vlorë

Eglantina Gjermeni Tiranë Krujë

Namik Dokle Tiranë Berat

Arben Ahmetaj Korçë Gjirokastër

Mimi Kodheli Korçë Shkodër

Bashkim Fino Fier Fier

Damian Gjiknuri Elbasan Elbasan

Sajmir Tahiri Tiranë Tiranë

Shpërndarja

Tiranë: Arta Ddade, Sajmir Tahiri, Fatos Nano

Elbasan: Ben Blushi, Damian Gjiknuri

Korçë: Erion Braçe, Ilir Beqja

Shkodër: Mimi Kodheli, Ditmir Bushati

Gjirokastër: Arben Isaraj, Arben Ahmetaj

Vlorë: Valentina Leskaj, Fatmir Xhafaj

Fier: Bashkim Fino, Armando Subashi

Dibër: Pandeli Majko, Shkëlqim Cani

Kukës: Arben Malaj, Besnik Bare

Lezhë: Lindita Nikolli

Për qarkun e Beratit: Namik Dokle

Për qarkun Durrës: Vangjush Dako, Eglantina Gjermeni

Axhenda e takimit

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste zgjodhi dje kryesinë e re të saj. Siç dihet, kreu aktual, Gramoz Ruçi, u rikonfirmua që në mbledhjen e parë të këtij forumi, prandaj në mbledhjen e djeshme nuk u bë pjesë e votimit. Ndërkohë Luiza Xhuvani dhe Mimoza Hafizi janë emëruar nënkryetare dhe deputeti Tulant Balla sekretar i këtij forumi. Në vend të Hafizit ishte propozuar një tjetër anëtare e asamblesë, por për shkak të angazhimeve të saj Rama propozoi Hafizin, duke mos ua bërë shumë të qartë ndërrimin e emrave anëtarëve të asamblesë. Po kështu në këtë takim u miratua dhe rregullorja e re e Asamblesë Kombëtare si dhe puna për Sekretariatin Ekzekutiv të Partisë Socialiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›