E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët serbë bojkotojnë Mesiçin

Derisa deputetët shqiptarë dhe të komuniteteve të tjera të premten i dhanë mikpritje të ngrohtë presidentit kroat, Stipe Mesiq, kur ai vizitoi Kuvendin e Kosovës, kjo nuk ndodhi me deputetët serbë. Nga dhjetë deputetët serbë, sa janë gjithsej, vetëm dy prej tyre ishin prezentë në seancën solemne të organizuar me rastin e ardhjes së presidentit Mesiç.

Ndërsa sipas të përditshmes serbe, Politika, thuhet se asnjë nga 10 delegatët e bashkësisë serbe nuk ishin aty.
Lideri i Partisë Demokratike të Serbëve të Kosovës, Sllavisha Petkoviç, ka thënë për këtë gazetë se anëtarët e partisë së tij, nuk kanë qenë të pranishëm në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës.

“Nuk do të pinim as edhe një kafe me të, e lëre më të ulemi me një person, i cili publikisht deklarohet për Kosovën e pavarur...Jo vetëm me atë, por me asnjë përfaqësues tjetër të Kroacisë, të cilët në Hagë kanë deklaruar se Kosova është shtet legjitim”, ka thënë Petkoviç, i cili dikur ka qenë edhe ministër për Kthim i Kosovës.

Ndërsa deputeti tjetër, Bojan Stojanoviç, është arsyetuar se në këtë ditë ka qëlluar festa e Krishtlindjeve Ortodokse. Kjo festë, sipas tij festohet tri ditë rresht.

“Ashtu siç është edhe traditë, ne këto ditë i kalojmë me personat më të afërt, me kushërinj dhe shoqërinë”, ka pohuar Stojanoviç.
Express ka tentuar të kontaktojë me këta dy deputetë, mirëpo asnjëri nga ta nuk është përgjigjur telefonatës.

Në anën tjetër, zyrtarë nga Ministria për Kthim në Kosovë, e cila udhëhiqet nga Partia Liberale Serbe, pohojnë se në këtë ditë ka qenë prezentë njëri nga deputetët serbë të kësaj partie, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur.
Po ashtu, është bërë e ditur se ka qenë prezentë edhe një deputet tjetër serb, i cili i takon një tjetër partie të serbëve të Kosovës.

“Mund të konfirmoj se prezentë në pritjen e presidentit Mesiç në Kuvendin e Kosovës kanë qenë dy deputetë serbë të Kosovës. Njëri prej tyre është anëtar i PLS-së”, konfirmon një zyrtar i MKK-së.
Ai po ashtu ka pohuar se pjesa tjetër e deputetëve serbë nuk kanë ardhur për faktin se kanë qenë duke festuar së bashku me personat e afërm dhe nuk kanë dashur të ndahen nga familjet e tyre.

“Vizita e presidentit Mesiç ka qëlluar pikërisht kur serbët festojnë Krishtlindjet Ortodokse dhe për këtë arsye ata thonë se nuk kanë mundur të vijnë”, pohon për gazetën ky zyrtar.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Kuvendit të Kosovës, Sherif Konjufca, thotë se nuk është i obliguar asnjë nga deputetët, të cilitdo komunitet që të arsyetojë mosprezencën e tyre në mbledhje të Kuvendit. Sipas Konjufcës, deputetët serbë të cilët nuk i kanë dëshiruar mirëseardhje presidentit kroat, të vetmin dënim që do ta kenë është që nuk do të marrin mëditjen e tyre.

“Unë mund të konfirmoj që së paku një deputet serb ka qenë prezent në sallë të Kuvendit. Mirëpo, askush nga deputetët nuk janë të obliguar të vijnë në mbledhje të Kuvendit. Kjo mund të tolerohet deri në gjashtë muaj. Me këtë rast ata kanë humbur mëditjen që është stimulans për pjesëmarrje në mbledhje”, tha zëdhënësi i Kuvendit, Konjufca.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›