Zbulime të rëndësishme në Pazarin e Gjirokastrës
GJIROKASTER - Pazari i gurtë i Gjirokastrës me një moshë 300-vjeçare vazhdon të nxje-rrë sërish në dritë vlera të qenësishme historike dhe arkitektonike të pazbuluara më parë. Zbatimi i projekteve restauruese në pazarin karakteristik dhe kryerja e punimeve për realizimin e këtyre projekteve, ka evidentuar vlera të tjera të trashëgimisë kulturore në zonën e Gjirokastrës. Gjatë punimeve në pazarin karakteristik për kthimin në identitet të godinave të ndryshme në zonën historike, punime këto që po kryhen muajt e fundit, restauratorët kanë nxjerrë në dritë edhe disa vlera të panjohura të cilat japin një informacion më të gjerë në lidhje me fillesat dhe profilin arkitektonik të Pazarit të Gjirokastrës. Gjatë zbatimit të projektit për restaurimin dhe ndërtimin e një qendre artizanale në godinën e gurtë në pronësi të familjes Omari, monument kulture i kategorisë së parë, restauratorët kanë zbuluar një sipërfaqe të shtruar me pllaka guri të zeza në dyshemenë e katit të dytë të godinës. Sipërfaqja me pllaka guri u zbulua nën një shtresë betoni ndërkohë që sipas specialistëve periudha e ndërtimit të saj daton përpara dy shekujsh. “Kjo gjetje është disi e veçantë, pasi deri tani është menduar që katet e dyta të godinave të gurta të pazarit dhe ndarjet e brendshme mes kateve i kanë pasur me dru”, - thotë arkitekti Kreshnik Merxhani. Sipas tij, shtresa me pllaka guri në godinën e Omaratëve ishte mbështetur mbi një hark guri që ngrihej mes dy kateve, është një zgjidhje arkitektonike që konsiderohet interesante. Por, gjatë ditëve të fundit në pazarin e gurtë të Gjirokastrës ka pasur edhe një sërë gjetjesh të tjera. I tillë është rasti i zbulimit të një fragmenti të kalldrëmit të gurtë, i cili i përket periudhës rreth 300-vjeçare kur Pazari u rindërtua pas një zjarri të furishëm që e shkatërroi plotësisht atë. Në listën e këtyre gjetjeve përfshihen edhe disa porta apo hyrje të godinave të ndërtuara me harqe guri etj. Sipas specialistëve të Trashëgimisë Kulturore, gjetje të tilla nxjerrin më në pah vlerat e Pazarit të gurtë dhe mënyrat e ndertimit te tij duke qene deshmi te rendesishme edhe te zhvillimeve ekonomike dhe sociale te asaj periudhe. Keto zbulime hedhin drite dhe krijojne nje baze te rendesishme per te mesuar te reja te tjera mbi historikun e ndertimit te gjirokastres se vjeter.(d.b/BalkanWeb)