E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Të hapen kutitë se Kushtetuta e garanton hetimin

TIRANE-Ndërsa flitet për fillimin së shpejti të negociatave me ndërmjetësimin e Presidentit, Partia Socialiste ka përsëritur edhe njëherë qartë qëndrimin e saj se nuk heq dorë nga kërkesa për hapjen e kutive. Deputeti socialist Taulant Balla deklaroi sot në një konferencë për shtyp se hapja e kutive eshte një e drejtë kushtetuese që nuk bie ndesh me Kushtetutën. “Partia Socialiste insiston se hapja e kutive të 28 qershorit, është transparencë kushtetuese dhe ligjore dhe për asnjë moment kjo domosdoshmëri nuk bie ndesh as me Kushtetutën, as me ligjet dhe as me vendimet e Gjykatës Kushtetuese”. Sipas Deputetit Taulant Balla, tashmë për të gjithë shqiptarët dhe për institucionet ndërkombëtare që monitorojnë Shqipërinë është mëse e qartë domosdoshmëria e hetimit të plotë të zgjedhjeve. Balla thekson se hetimi parlamentar është një e drejtë kushtetuese e parlamentit. Sic shton Balla, vetëm Berisha nuk mund ta kundërshtojë këtë pohim. “Shumëkush mund të ketë të drejtë të bëjë interpretime të Kushtetutës për këtë çështje, vetëm Sali Berisha jo. Sali Berisha është i fundit njeri që merret me politikë në Shqipëri që mund të flasë për Kushtetutën. Sepse, ai nuk e njeh Kushtetutën, përndryshe nuk do ta kishte shkelur me dhjetëra herë në 4 vjet”. Partia Socialiste konsideron se 20 vendime të Gjykatës Kushtetuese kanë gjetur fajtor Sali Berishën si shkelës të Kushtetutës. Në këtë pikë Balla shtron pyetjen se “Si mundet Sali Berisha të na tregojë ne dhe shqiptarëve, Kushtetutën si pengesë për transparencën e zgjedhjeve?”. Më pas deputeti socialist nënvizoi se refuzimi i të drejtës për të hetuar zgjedhjet është në thelb uzurpimi i parlamentit. Duke i mëshuar termit, krizë, deputeti Balla vuri në dukje se kjo krizë politike është një krizë degraduese dhe se legjitimiteti i zgjedhjeve është një problem që duhet zgjidhur për të ndalur këtë degradim. Deklarata vjen në prag të negociatave që Presidenti i vendit po përgatit të nisë me Edi ramën dhe Sali Berishën rreth cështjes së zgjedhjeve të 28 Qershorit. Përfshirja e Presidentit për zgjidhjen e situatës politike në vend është edhe një rekomandim i rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, miratuar javën e kaluar, e cila i bën apel opozitës të kthehet në Kuvend, ndërsa i kërkoi qeverisë ngritjen e një komisioni parlamentar hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Ky hap i Presidentit vjen pas thirrjeve qe erdhen nga të dy krahet politike për zgjidhjen e krizës politikë në vend. Ka qënë fillimisht kryeministri Sali Berisha që kërkoi të ulet në një tryezë me kreun e opozitës, Edi Rama. Ai ftoi Ramën që të diskutojnë hetimin e zgjedhjeve në një tryezë e shtruar qoftë dhe nga Presidenti Topi, por pa u kërkuar hapja e kutive. Më pas thirrja për tryezë erdhi nga kampi i majtë që gjithashtu u kërkua një tryezë me Sali Berishën, por e organizuar nga kreu i shtetit. Por, Edi Rama shprehet se nuk do të heqë kurrë dorë nga kërkesa për hapjen e kutive. Me thirrjen e re të Presidentit, tani do të jenë forcat politike kryesore në vend të dëshmojnë vullnetin e tyre për bisedime për zgjidhjen e ngërcit politik që vazhdon prej muajsh, pas bojkotit që e majta po i bën Kuvendit pas mosnjohjes së zgjedhjeve të 28 Qershorit nga ana e kësaj partie. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›