E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulimi, Anija në Jon! Më e bukura e Mesdheut



Sezoni i ri i kërkimeve në ujërat shqiptare ka befasuar specialistët, duke mos u përmbajtur, për ta quajtur zbulimin më të rëndësishëm, madje edhe në rang botëror – Është gjetur një anije, e përcaktuar menjëherë në mes shekullit III ose IV pas Krishtit. Ky relit arkeologjik mendohet nga arkeologët se është ndoshta nga më të bukurit dhe nga më të ruajturit të gjetur ndonjëherë në ujërat e Mesdheut. Mbas gërmimeve që do të bëhen në të ardhmen, në këtë relit mendohet se të dhënat e fituara do të sjellin të reja mbi kuptimin e kontakteve të banorëve të Ilirisë së Jugut me kulturat e Mesdheut

Cilësohet spektakolar rezultati që kanë marrë arkeologët shqiptarë dhe amerikanë nga ekspedita e fundit në nënujërat e Jonit, në veri të Sarandës. Sezoni i ri i kërkimeve në ujërat shqiptare ka befasuar specialistët, duke mos u përmbajtur, për ta quajtur zbulimin më të rëndësishëm, madje edhe në rang botëror - Është gjetur një anije, e përcaktuar menjëherë në mes shekullit III ose IV pas Krishtit. Ky zbulim është i shtati në listën e zbulimeve të rëndësishme të kryera nga ekspedita e përbashkët, e cila ka filluar 3 vite më parë si bashkëpunim i Fondacionit amerikan RPM “Nautical Foundation” dhe Degës së Arkeologjisë Navale të Institutit të Arkeologjisë Shqiptare me bashkëdrejtor dr. Jeff Royal nga pala amerikane dhe dr. Adrian Anastasi nga pala shqiptare. Koordinatori i këtij projekti, Auron Tare, duke na njohur me fotot e rralla nga nënujërat e Jonit, ka bërë të ditur për gazetën “standard”, se ky relit arkeologjik është ruajtur mjaft mirë dhe është i përbërë nga amfora të mëdha që mendohen se vijnë nga Afrika Veriore.

Ky relit arkeologjik mendohet nga arkeologët se është ndoshta nga më të bukurit dhe nga më të ruajturit të gjetur ndonjëherë në ujërat e Mesdheut. “Mbas gërmimeve që do të bëhen në të ardhmen në këtë relit, mendohet se të dhënat e fituara do të sjellin të reja mbi kuptimin e kontakteve të banorëve të Ilirisë së Jugut me kulturat e Mesdheut”, - tregon Tare. Por ajo që është lajmëruar më parë nga drejtori i projektit, Adrian Anastasi, ka të bëjë me përfundimin e hartës së arkeologjisë nënujore, që vjen për herë të parë në kontekstin shkencor për t’iu referuar kërkimeve nënujore. Për këtë, bashkë me zbulimin e anijes na bëhet e ditur se kjo ekspeditë po kryen gjithashtu matje të hollësishme të fundit të detit, duke na dhënë për herë të parë hartat e pasurisë nënujore të deteve shqiptare dhe përmes saj, mundësinë e identifikimit të kësaj pasurie arkeologjike. “Teknologjia e lartë Multibeam dhe përdorimi i robotëve në thellësi të mëdha që kjo ekspeditë po përdor, si dhe rezultatet e shkëlqyera të saj e radhit atë në një prej tre ekspeditave më të rëndësishme në Mesdhe sipas ekspertëve të huaj të arkeologjisë navale”, - ka thënë Tare. Kur në të njëjtën kohë media amerikane dhe ajo botërore i kanë kushtuar kësaj ekspedite një vëmendje të madhe, pasi zbulimet që kanë ardhur nga këto kërkime nënujore në Shqipëri po hapin një kapitur të ri në fushën e zbulimeve të arkeologjisë nënujore. Por ky rrjet bashkëpunimi do të shtrihet edhe në brigjet e Malit të Zi. Tare na tregon se ekspedita shqiptaro-amerikane do të bashkëpunojë për herë të parë edhe me arkeologë malazezë, duke kryer kërkime në ujërat e Malit të Zi.

Në këtë mënyrë, për herë të parë do ketë një bashkëpunim të specialistëve të arkeologjisë navale, për të kërkuar thellësitë e bregdetit iliro-dalmat. Vjet në gusht, në ujërat e Jonit u gjetën dy anije të lashta, njëra e shekullit të 6-të dhe tjetra e shekullit të 4-të para Krishtit. Zbulimi i këtyre anijeve të periudhës klasike është konsideruar gjithashtu shumë e rëndësishëm për qarqet shkencore të arkeologjisë botërore. Njëra nga anijet është gjetur në thellësi 70 metra, që ka rezultuar e shekullit të 6-të para Krishtit dhe anija e dytë e shekullit të 4-t para Krishtit. Anijet kishin ngarkesa me amfora të identifikuara si korintike të versionit A dhe B. Anija e shekullit të 6-të përmbante vetëm amfora korintike. Anija e shekullit të 4-t kishte një ngarkesë të plotë me pllaka qeramike korintike. Arkeologët e ekspeditës të angazhuar në kërkimin nënujor vetëm në dy ekspedita, mendojnë se kjo është anija e parë e gjetur në Mesdhe, e cila ka një ngarkese të plotë me materiale të tilla.

Sipas tyre, zbulimi i anijeve të kësaj periudhe janë nga zbulimet më të rralla në Mesdhe, çka do të thotë se me këtë zbulim, bregdeti shqiptar vendoset në një pozicion shumë të rëndësishëm për studimin e lundrimit antik. “Për këtë arsye, lajmi i zbulimit të anijeve të periudhës klasike është shumë i rëndësishëm për qarqet shkencore të arkeologjisë botërore”, - kanë thënë specialistët.

Skanimi i bregut të detit nga Kepi i Ftelesë në Jug të Sarandës deri në Porto-Palermo tashmë është kryer nga arkeologët qysh vitin e kaluar. Ky skanim bëhet deri në 5 km nga bregu në thellësinë 300-400 m, për të cilën specialistët janë shprehur se janë identifikuar një numër i madh anomalish, të cilat kontrollohen nga roboti i anijes.

*Foto të zbulimit të fundit të ekspeditës shqiptaro-amerikane në ujërat e Jonit

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›