Topi, apel politikës: Miratoni sa më shpejt ligjin për Gjykatën Administrative
Mbledhja e KLD-së, diskutohet reformimi në gjyqësor dhe reduktimi i Gjykatave të Shkallëve të Para. Sot vijohet me procedimet për 8 gjyqtarë
Presidenti i Republikës, në të njëjtën kohë edhe kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i ka bërë apel politikës të kalojë sa më shpejt ligjin për Gjykatën Administrative. Përmes fjalës së tij në mbledhjen e djeshme të KLD-së, Presidenti Bamir Topi kërkoi nga forcat politike të kalojnë sa më parë këtë ligj në Kuvend, pasi është mjaft i domosdoshëm dhe kanë kaluar afatet ligjore dhe kohore për këtë gjykatë. Sipas kreut të shtetit, do të ishte mjaft mirë që Gjykata Administrative të realizohet në një kohë sa më të shpejtë për t’i ardhur në ndihmë pikërisht asaj kategorie, që për një mijë arsye, për shkak të këtij organizimi, shpeshherë futet në procedura të zgjatura dhe nuk arrijnë të marrin përgjigje. “Biznesi është biznes”, - vijoi apelin e tij z. Topi, duke shtuar se “Gjykata Administrative do të kishte një impakt të jashtëzakonshëm në efikasitetin e punës së drejtësisë. I takon politikës, i takon vullnetit të tyre. Unë si President i Republikës dhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i inkurajoj pikërisht që ligji për krijimin e Gjykatës Administrative të stimulohet, duke marrë në konsideratë që është ezauruar, ose janë ezauruar të gjitha hallkat e procesit konsultativ dhe mbeten vetëm për çështje të vendimmarrjes politike”. Një thirrje e ngjashme i është bërë politikës edhe nga drejtori i projektit për Sfidën e Mijëvjeçarit, i financuar nga SHBA dhe administruar nga USAID, ku kërkohej miratimi sa më parë i Gjykatës Administrative nga politika. Ndërkohë që në seancën e pak ditëve më parë, bojkoti i opozitës shtyu miratimin e këtij ligji, i cili duhet të kalojë patjetër me 84 vota në Kuvend.
Kërkesa
Një tjetër kërkesë e kreut të KLD-së në mbledhjen e djeshme ishte reforma në formën e strukturimit të gjyqësorit. Riorganizimi i pushtetit gjyqësor konsiderohet një hap i rëndësishëm i kësaj reforme, i cili diktohet të reflektojë standardet dhe nevojat bashkëkohore. Presidenti Topi ka kërkuar nga organet përkatëse, që të rishihet organizimi i gjykatave, duke theksuar këtu reduktimin e numrit të gjykatave të Shkallës së Parë. “Ju e dini që kemi pasur, e kam fjalën për gjykatat e Shkallës së Parë, kemi pasur një procedurë të realizuar që në gushtin e vitit 2007 dhe është mirë që gjërat që realizohen, duhen parë dhe hap pas hapi se si cili është impakti i tyre dhe nevoja për t’i reformuar. Kam parasysh këtu reduktimin e disa gjykatave, organizimin e gjykatës, që janë edhe nevoja për ta riparë dhe unë këtë e konsideroj paraprakisht të arsyeshme. Ne kemi nevojë të shikojmë dhe propozimin e ministrit, të arsyetojmë drejt për atë propozim dhe në fund fare të vendosim”, - përfundoi fjalën e tij kreu i KLD-së. Sipas burimeve nga KLD, diskutimi mbi projekt-dekretin “Për krijimin e rretheve gjyqësore, caktimin e kompetencave tokësore dhe të qendrës së ushtrimit të veprimtarisë së tyre” bashkoi në unanimitet absolut gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke e konsideruar aprovimin e këtij akti një hap të domosdoshëm, i cili do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në përshpejtimin e procedurave gjyqësore.
Risia
Risi e këtij projekt-dekreti është rikrijimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet, duke marrë në konsideratë faktorë si tendenca e rritjes së volumit të çështjeve gjyqësore nga ky rreth, largësia gjeografike me rrethet e tjera gjyqësore dhe numri i popullsisë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë propozoi që në kompetencën territoriale të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet, të përfshihet edhe Bashkia e Leskovikut, për shkak të largësisë së madhe gjeografike që banorët e kësaj bashkie detyrohen të përshkruajnë, për të përmbushur nevojat e tyre gjyqësore.
Mbledhja
Në përbërjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, dje u legjitimua nga Komisioni i Verifikimit të Mandateve, anëtarja më e re e tij, znj. Lefterije Lleshi, e zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë pak kohë më parë. Një pikë tjetër diskutimesh në këtë mbledhje ka qenë dhe shpallja publike e disa vakancave për gjyqtarë, si vakanca pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe vakanca pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vakancë kjo e fundit e krijuar pas largimit në Gjykatën e Lartë të gjyqtares Mirela Fana. Gjithashtu, këshilli vendosi të zgjasë afatin zyrtar të paraqitjes së kërkesave dhe dokumentacionit përkatës, edhe për një muaj, për kryetarin e Gjykatës së Rrethit Tiranë. Në zbatim të ligjit nr. 10.039, datë 22.12.2008 “Për ndihmën juridike”, neni 6, Këshilli i Lartë i Drejtësisë caktoi z. Neshat Fana, si përfaqësues të tij në Komisionin Shtetëror për Ndihmën Juridike. Kjo mbledhje plenare u ndërpre për t’u vazhduar ditën e sotme, me shqyrtimin e 8 procedimeve disiplinore.
Detaj
8 gjyqtarë pritet t’i nënshtrohen sot procedimit disiplinor, me propozim të ministrit të Drejtësisë
Gjyqtarët e propozuar për procedime disiplinore
Meme Rexho, Gjykata e Apelit Vlorë
Alaudin Malaj, Gjykata e Apelit Vlorë
Murat Lleshi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat
Bujar Musta, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan
Pajtime Fetahu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan
Zihni Shahu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan
Manjola Bejleri, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë