E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDI përballë PBDNJ dhe evropianizimi i rajonit



Çdo shqiptar e ka këndvështruar dhe vlerësuar si zgjedhje të duhur atë që PDI bëri në koalicionin me PDSH. Por më shumë se kaq, duket se ky akt i natyrshëm dhe i mirëpritur ka xhelozuar vetëm ata që janë kundër idealit të çështjes çame, por edhe të majtën joprogresive. Këtë e them se alergjia që u shfaq mediatikisht kundër një marrëveshjeje të shumëpritur, është një sëmundje e kahershme e majtistëve që në pushtetin e së kaluarës heshtën para ligjit që bënin grekofilët e byrosë që 49 vjet më parë vollën vrer ndaj një popullate të tërë deri në përçmimin më poshtërues. Ishin shqiptarët e Enver Hoxhës me bindje të majta që u hodhën kundër shqiptarëve të vërtetë me gjak, me gjuhë e flamur.

Por ajo që dua të them në shumë dhe që ka lidhje të drejtpërdrejtë me titullin e këtij shkrimi, është një fakt tjetër që lidhet drejtpërdrejt me reagimin që tregoi PBDNJ dhe drejtuesi i tyre grek, Vangjel Dule, që ka vënë në një pikëpyetje se ku duhet ta ketë vendin e vet partia e tij. Një tjetër xhelozi kjo që flet për një sharlatanizëm grek që sa herë që shqiptarët bëjnë veprime të drejta për të vënë në vend dinjitetin e tyre, aq herë PBDNJ dhe pjesa më regresive e kësaj partie hidhet kundër interesave shqiptare. Nëse duam të dimë se çfarë partie është PBDNJ dhe kujt i shërben ajo me qëndrime të tilla, është e thjeshtë të themi se ajo është një parti greke me gjuhë e gjak, me flamur dhe me një shtet që e stimulon për antishqiptarizma. Sa herë që Dule del e flet si të ishte ndonjë evropian i madh në diplomaci, vetëm me një lëvizje që bëri PDI me PD, PBDNJ nisi të kërcasë dhëmbët dhe të vërë në një dyshim të madh se cila do të jetë e ardhmja e saj, tek e djathta apo tek e majta. Pragmatizimi i njohur i grekëve që dinë të vërtisin mirë interesin e tyre, ka marrë një goditje të rëndë me qëndrimet e tyre të fundit, duke folur hapur jo për një evropianizim të rajonit, por për një parti që kërkon të mbjellë farën e urrejtjes mes shqiptarësh, kur ata kërkojnë të vëllazërohen dhe të jenë në vëmendjen e ndërkombëtarëve për reforma të mëdha dhe për plotësim standardesh që e bënë atë pjesë të NATO dhe me synimin për në BE. Oratoria e Vangjel Dules tashmë është kthyer në një rënie të legenit që është ndryshkur dhe nuk mund të mbajë më ujë. Kjo pikërisht e nervozon Dulen dhe grekofilët e së majtës që bëhen më grekë se grekët dhe për turp të botës, i japin çelësa derës së mbyllur të nacionalizmave në emër të Greqisë, që kërkohen të kthehen në modele të politikave shqiptare. Që të dëgjosh Dulen e PBDNJ është mirë të kthesh prapa kasetën e përdorur shpesh nga ai me terminologji “evropiane”, por me qëndrime tipike greko-sllavo-komuniste. Ky Dule që s’foli një herë për të vërtetat e shqiptarëve në Kosovë e Çamëri, ashtu siç ka bërë edhe vetë politika zyrtare greke, na del se ka dhembje për shqiptarët që sot kanë zgjedhur Berishën si lider të së ardhmes me reformat dhe shpresën e kthyer për një Shqipëri evropiane në NATO e BE. Dule dhe të gjithë ata që kanë harruar se historia është e shkruar si e zeza mbi të bardhë, duhet të njohin dhembjen që përjetuan gjyshërit dhe prindërit tanë që s’ua mori mendja kurrë se do të ishin të persekutuarit e Evropës edhe pas 65 vjetësh, kur nuk u dënua genocidi që ra mbi ta në 1944-1945. Më tepër se kaq, në vend të mbështetjes qeveritare komuniste që flasin si internacionalistë në vend, që të jenë një herë atdhetarë, çamët do të merrnin si “shpagim” urrejtjen komuniste, para se të meritonin mirënjohjen që pranuan të vijnë në Shqipëri si shqiptarë të vërtetë e të mos shkonin në Turqi siç donin grekët. Çamët padrejtësisht “merituan” poshtërimin deri në fjalorin më dhunues që ka lënë pasojat e veta edhe sot e kësaj dite s’ke ç’i bën, se historia që kanë shkruar korifenjtë e shqiptarizmës nuk është e njohur për ta.

Unë do të kujtoja njërin prej tyre që na provon se si vjen në kujtesën tonë historike realiteti greko-shqiptar, që është edhe aktual, edhe i besueshëm, edhe i vërtetë. Gjenia e të madhit Faik Konica, si një shqiptar i mirë dhe një antikonformist i kohërave moderne, ka lënë të skalitura fjalë që nuk i hedhin poshtë kohërat. Kur ai shkroi “Ju rrëfej grekët”, ai nuk harroi të shkruante edhe pjesën tjetër se “A do të lidhin ndonjëherë miqësi grekët me shqiptarët?”, duke pasur parasysh faktet historike që kanë përjetuar shqiptarët me fqinjët e tyre grekë. Dramat dhe tragjeditë që kanë pësuar shqiptarët nga grekët kanë qenë të paparashikuara dhe që kulmuan me genocidin grek të viteve 1944–1945, me përzënien me zjarr e me hekur të rreth 50 mijë çamëve nga vatrat e tyre stërgjyshore.

Por vitet kanë bërë punën e tyre dhe vetë grekët e evropianizuar apo të moderuar kanë krijuar një situatë ndryshe ndaj qëndrimeve nacional-shoviniste të bashkatdhetarëve të tyre, duke filluar nga shkrimtarë e akademikë, qytetarë të thjeshtë dhe politikanë të veçuar. Me një fjalë, ka nisur edhe ndërgjegjësimi i vetë grekëve se nuk kanë vepruar drejt e deri tek përcaktimi i akademikëve grekë se “po ndaj çamëve është ushtruar genocid”. Përtej këtyre qëndrimeve, donkishotët e nacioanalizmave greke, në këtë vit të 65-vjetorit të atyre masakrave barbare ndaj shqiptarëve të Çamërisë, vjen si e rrallë dhe shumë prekëse edhe një shkrim i veçantë që ka shkruar Tula Stefanidhu tek “Margariti” e botuar në Athinë, 1989, f. 125. Realisht Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishme përpara në përmbushje të detyrimeve demokratike që kërkon Evropa, me të cilën krenohet dhe ka përfituar më shumë nga të tjerët, Greqia. Ndoshta shqiptari i vërtetë Faik Konica ka pasur parasysh shumë e shumë realitet kur pohoi atë shprehjen e njohur se “A do lidhnin ndonjëherë miqësi grekët me shqiptarët?”. Aq më tepër kur shqiptarët janë paqësorë dhe dashamirës me fqinjët dhe gjithnjë mirëpresin miqësinë. Këtë histori duhet ta dijë Dulja dhe ata që bëhen palë me Dulet e PBDNJ, se e vërteta historike është e vërteta e një realiteti që flet me fakte dhe jo me fjalë podiumesh. Shqipëria ka marrë tjetër rrugë dhe këtë s’mund ta mbajnë peng as Vangjel Dule e PBDNJ, as bashkëpunëtorët e grekëve që më shumë duan të bëjnë harakiri me këtë popull dhe jo të bëhen palë e evropianizimit të rajonit, ashtu siç e ka kuptuar tashmë këtë fakt edhe PDI dje, drejtuesi i tyre, Tahir Muhedini.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›