Zbulimi i 92 emigrantëve të zhveshur, akuza mes Greqisë dhe Turqisë! OKB: Të nisin hetimet

Zbulimi i 92 emigrantëve të zhveshur në kufirin midis Greqisë dhe Turqisë ka nxitur akuza mes dy palëve. Pasi autoritetet greke e cilësuan sjelljen e Turqisë “një turp për qytetërimin”, ka ardhur dhe reagimi i OKB-së e cila ka bërë thirrje për nisjen e hetimeve.
Policia greke shpëtoi emigrantët të cilët u gjetën të zhveshur dhe me disa lëndime të lehta. Emigrantët u zbuluan fillimisht pranë lumit Evros që shënon kufirin midis Greqisë dhe Turqisë të premten. Një hetim nga policia greke dhe zyrtarë nga Frontex, gjetën prova se emigrantët kaluan lumin në territorin grek me gomone nga Turqia.
Emigrantët i thanë policisë dhe oficerëve të Frontex se ishin detyruar nga autoritetet turke të hipnin në tre automjete që i çuan në kufi. Emigrantët dëshmuan se ishin detyruar të zhvisheshin lakuriq përpara se të hipnin. Ministri i migracionit i Greqisë, Notis Mitarachi, postoi një foto ballafaquese në llogarinë e tij në Twitter, ku supozohet se shfaqeshin më shumë se 20 burra të zhveshur të strukur në natyrë.
“Sjellja e Turqisë ndaj 92 emigrantëve që i shpëtuam sot në kufij është një turp për qytetërimin. Ne presim që Ankaraja të hetojë incidentin dhe të mbrojë më në fund kufijtë e saj me BE-në”, shkroi ai.
Fahrettin Altun, kreu i drejtorisë së komunikimeve të Turqisë dhe zëdhënësi kryesor i presidentit Recep Tayyip Erdoğan, i përshkroi akuzat si “të pabaza”.
/rtsh.al/