E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohen 29 kg kanabis, pranga të riut nga Korça, tjetri në kërkim

 

ELBASAN - Policia e Elbasanit arrestoi një person, e një tjetër e shpalli në kërkim gjatë një operacioni të zhvilluar në orët e vona të së mërkurës. Ka mjaftuar një sinjal i dy punonjësve të qarkullimit rrugor për të ndaluar mjetin me targë KO 7209 B, për të zbuluar më pas edhe sasinë prej rreth 29 kg kanabis. Efektivët e qarkullimit kanë dyshuar te mjeti me targat e Korçës dhe kanë sinjalizuar policinë e Elbasanit, e cila e ndaloi mjetin pasi e ndoqi për rreth 5 km. Policia u bëri shenjë dy personave që ndodheshin në mjet të zbresin, por ata tentuan të largohen duke shfrytëzuar errësirën. Uniformat blu arrestuan në kushtet e flagrancës vetëm drejtuesin e mjetit Ermal Shaholli, 22 vjeç nga fshati Pojan në Korçë, ndërsa Artan Ago, 32 vjeç nga Devolli arriti të largohej. Blutë e kanë shpallur atë në kërkim. Gjatë kontrollit në makinë u gjetën 30 pako në formë cilindrike, brenda të cilave ndodhej një lëndë bimore në gjendje të thatë me ngjyrë jeshile, e cila për nga karakteristikat dyshohet të jetë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, si dhe tre thasë të emërtuar me numra, brenda të cilëve ndodheshin 29.271 gram kanabis.         a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›