Minatorët Priftit: Mbani ACR
BULQIZE - Minatorët e Bulqizës apelojnë pranë Ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti që të rishohë me kujdes marrëveshjen me firmën “Albanian Crom”, duke e vlerësuar atë si një firmë serioze dhe korrekte me punëtorët. Minatorët e intervistuar thanë se kanë punuar më parë me firmën italiane “Darfo” dhe vitet e fundit me “ACR”-në dhe me këtë të fundit janë ndjerë shumë më mirë në shumë drejtime. Kryetari i këshillit sindikal të minatorëve të Bulqizës, Dilaver Përkoxha, tha se kanë pasur marrëdhënie korrekte me ministrin Prifti dhe janë optimistë se ai do ta vlerësojë me vëmendje kontratën koncesionare me firmën austriake. “Gjatë kohës që miniera është drejtuar nga firma “Darfo” - u shpreh Përkoxha, - në minierën e Bulqizës nuk është kryer asnjë investim, nuk është zbatuar asnjë pikë e kontratës së koncesionit dhe ç’është më e keqja ne kemi vuajtur dhe për gjënë më minimale, siç janë mjetet mbrojtëse në punë si llampa, kasketa, mjete kundër pluhurit, etj. Rrogat nuk i kemi marrë disa herë në kohë, gjë që na ka detyruar here pas here të zhvillonin protesta dhe të ndërprisnim punën” - nënvizoi kryetari i sindikalistëve të Bulqizës. Sipas tij, por dhe minatorëve të tjerë, pas dhënies me koncesion të minierës firmës “ACR” gjithçka në këtë minierë ka ndryshuar për mirë. “Pagat janë rritur mbi 50 për qind për të gjitha profesionet në këtë minierë. Miniera ka ndërtuar një gardorob dhe po ndërton sërish një tjetër, më moderne që të jetë brenda standardeve. Sukses për minatorët konsiderohet blerja e një ventilatori të madh për ajrimin në thellësi të minierës. Firma austriake për të përmirësuar punën ka siguruar kompresorë të rinj dhe janë porositur gjeneratorë të rinj. Është blerë gjithashtu sonda e shpimit 350.000 euro, e cila po punon dhe po verifikon rezervat poshtë nivelit 16-të. Shpëtimtare për minatorët e Bulqizës është hapja e pusit 7 në nivelin 14 në drejtim të nivelit. h.p