Zbulohen duke vjedhur lokalin e basteve, në pranga dy të rinj
TIRANE Disa persona problematikë të dyshuar për disa vjedhje ranë në pranga në fundjavë gjatë aksionit për kapjen e shtetasve me tendencë vjedhjen e banesave dhe bizneseve. Burimet nga Policia thanë se kanë vënë në pranga dy prej autorëve të mundshëm, që dyshohet të kenë kryer të paktën 10 grabitje. Gjatë aksionit të nisur prej mesnatës të së premtes është kryer arrestimi në flagrancë i dy të rinjve, të cilët po tentonin të hapnin qepenin e një lokali bastesh sportive, në mënyrë që të realizonin vjedhjen e radhës. Sipas të njëjtave burime, dy të arrestuarit janë Roland Musta dhe Marsid Peza, njëri prej të cilëve ishte i identifikuar dhe shpallur në kërkim prej rreth një jave nga Policia e Tiranës. Ngjarja më e fundit e dy të arrestuarve, të cilët dyshohet të kenë bashkëpunuar edhe me dy persona të tjerë, ndodhi gjatë natës duke gdhirë dita e djeshme, në afërsi të shinave të trenit, te Kthesa e Kamzës. Sipas Policisë, patrulla e policisë ka konstatuar në distancë dy persona që po tentonin të hapnin qepenin e lokalit të basteve sportive dhe ka kërkuar ndihmën e grupi të gatshëm për të siguruar arrestimin e tyre. Brenda pak minutash, policia ka mundur të arrestojë dhe të shoqërojë në ambientet e Komisariatit Nr.3 dy të dyshuarit, të cilëve fillimisht u janë marrë gjurmët e gishtave për ti krahasuar me ngjarje të tjera kriminale. Sipas burimeve nga verifikimet e kryera, rezulton se dy të arrestuarit, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, tashmë të identifikuar dhe të shpallur në kërkim, kanë realizuar mbi 10 vjedhje me dhunë e me thyerje, në zona të ndryshme të kryeqytetit, nën juridiksionin e Komisariatit Nr.3, Nr.4 dhe Nr.5. Madje disa prej vjedhjeve që dyshohet të kenë kryer personat e arrestuar dhe ata në kërkim, që sipas policisë vepronin në grup, kanë ndodhur deri në afërsi të Fushë-Krujës. Policia ka vazhduar edhe dje operacionin për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në vjedhje që kanë ndodhur së fundmi në kryeqytet.