Dy gardianët grekë, drogë në burg për Alket Rizain

Alket Rizai pas arrestimit të dytë nga policia greke
Shqiptari Alket Rizai është bërë sërish protagonist i një ngjarjeje të pazakontë në Greqi. Dy efektiva të policisë së burgut Malandrinos janë akuzuar dhe më pas arrestuar, pasi dyshohet se po furnizonin me drogë në qeli të dënuarin shqiptar. Lajmi është bërë i ditur dje nga mediat greke. Sipas tyre, ngjarja ka ndodhur në burgun e sigurisë së lartë të Malandrinos, pasi dy efektiva të policisë atje u kapën me 300 gramë lëndë narkotike heroinë. Pas ndalimit të dy policëve me drogë brenda ambienteve të burgut, hetimi i mëtejshëm nxori në dritë faktin se lënda narkotike po i dërgohej fshehurazi në qeli Alket Rizait, shqiptarit më të famshëm në burgjet greke aktualisht. Pas ndalimit nga kolegët e hetimit, policët e burgut Malandrinos kanë pranuar edhe vetë se drogën do ta dërgonin në qelinë e shqiptarit dhe kanë shtuar se ishin të detyruar e të shtyrë në këtë veprim. Oficerët e burgut ku mbahet Alket Rizai, kanë thënë se në muajt e kaluar kanë futur ilegalisht në qelinë e shqiptarit edhe sende të tjera të ndaluara si telefonat celularë. Ata thanë se tentuan të dërgonin dhe një armë brenda në qelinë e të riut, por nuk ia kishin arritur për shkak të kontrolleve të forta.
Rizai: I kërcënova
Skandali në burgun ku mbahet shqiptari i cili u bë i njohur për dy arratisjet spektakolare nga burgjet greke, nuk ka kaluar pa vëmendjen e medias greke. Ato citojnë deklaratën e shqiptarit i cili ka shfajësuar policët, duke thënë se ata kanë qenë të detyruar të shkelnin ligjin. Rizai ka thënë në median greke se rreth një muaj e gjysmë më parë kishte porositur “njerëzit e tij” të rrëmbenin njërin prej gardianëve tashmë të arrestuar. Ai ishte mbajtur peng në një mal për rreth dy orë. Gjatë kësaj kohe që mbahej peng, gardiani ishte kërcënuar të dërgonte disa telefona dhe sasi droge në qelinë e Alket Rizait, përndryshe ai dhe familja e tij do të vriteshin. “Ai m’u përgjërua se nuk mund ta bënte, por unë e kërcënova. E bëri atë që i kërkova, sepse kishte frikë për jetën e tij dhe të familjes”, ka thënë Alket Rizai. I pyetur në lidhje me gardianin e dytë, ai ka thënë se nuk di gjë për implikimin e tij. Prokuroria greke ka dërguar dje në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj dy gardianëve tashmë të arrestuar.
Shqiptari
Raporti i Alket Rizait me administratën e burgjeve greke ka qenë gjithnjë e më problematik. Ai u kthye në tmerrin e policisë së burgjeve greke për shkak të dy arratisjeve të bujshme me helikopter. Teksa mbahej në burg i dyshuar për një vrasje që ai nuk e kishte pranuar, më 2 qershor 2006, Alket Rizai dhe miku i tij Vasilis Paleokostas u larguan me helikopter nga qelitë. Pas kësaj ngjarjeje, Rizai u kthye në personin më të kërkuar në Greqi. Shumë aksione u organizuan për kapjen e shqiptarit, i cili arrestua rreth një vit më vonë. Gjatë kohës së kërkimit, Policia greke dështoi në disa aksione radhazi për kapjen e shqiptarit, ndonëse aksionet iu besuan forcave elitë të policisë greke dhe po ashtu, për ta nuk u kursye asnjë mjet me qëllim ndjekjen dhe gjurmimin e të shumëkërkuarit. Pas arrestimit të Rizait, ai sërish përsëriti skenarin e arratisjes në vitin 2009, më 22 shkurt, kur u largua prapë me helikopter nga burgu i sigurisë së lartë Koridhalo. Helikopteri ishte prenotuar nga e dashura e Alket Rizait.
Personazhi
Alket Rizai është bërë personazh i medias greke pas dy arratisjeve të bujshme nga dy burgjet e sigurisë së lartë, ku mbahej nën masa të forta sigurie. Ai u ndalua fillimisht me akuzën e vrasjes dhe u hetua si pjesë e grupeve kriminale të drejtuara nga miku i tij, Vasilis Paleokostas. Organizata kriminale në fjalë dyshohej për vrasje dhe për pengmarrje e gjobëvënie ndaj një biznesmeni të njohur në Greqi për prodhimin e mjeteve luksoze të lundrimit. Në shenjë proteste, siç deklaroi ai për gjyqet e padrejta dhe akuzat pa prova, Alket Rizai sfidoi drejtësinë dhe u arratis dy herë me radhë nga qelitë greke.
Rizai u dënua me 25 vjet burg, ra vrasja
Në nëntor të vitit të kaluar, shqiptari Alket Rizai është dënuar me 25 vjet burg dhe, ndonëse akuzohej më parë për vrasje, në vendimin e fajësisë së tij nuk është përfshirë një akuzë e tillë. Pas shqyrtimit gjyqësor, Rizai u shpall fajtor për anëtarësim në një organizatë kriminale, si dhe posedim të armëve të zjarrit e eksplozivëve dhe po ashtu për veprën e arratisjes me një avion duke marrë peng personelin në një destinacion, pjesë e hapësirës ajrore dhe sigurisë së Greqisë. Sipas gjykatës, akuza kryesore për Rizain ishte arratisja në 2006 dhe 2009 me helikopter nga burgu, sulmi ndaj policëve të burgjeve etj. E dashura e Alket Rizait, shtetasja greke Mitropia, u dënua me 13 vjet burg pasi ajo ndihmoi në arratisjen dhe fshehjen e shqiptarit. Vetë Rizai i kërkoi gjykatës pafajësi për partneren e tij, duke marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë. Pasi gjykata greke shpalli vendimin, Rizai artikuloi disa thirrje në Gjykatë. “Do të përgjigjeni për Sektin e Revolucionarëve”, citohej shqiptari duke iu referuar grupit terrorist, që ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e 41-vjeçarit Savvas Nektarios në vitin 2010 dhe gazetarin Giolias Sokratis në korrik të vitit 2011. Pas kërcënimeve, oficerët e Policisë greke deklaruan se po hetonin nëse prokurori i krimeve të rënda, Janis Angelis, mund të jetë në rrezik pas kërcënimeve që ka bërë Rizai.