Apeli rrëzon padinë e Dajtit

Dritan Dajti në gjyq
Zbardhet vendimi i Gjykatës së Apelit që i dha formë të prerë rrëzimit të padisë së Dritan Dajtit ndaj një oficeri të Forcave Speciale të Policisë për zhdukjen e një arme nga vendi i vrasjes së 4 policëve, në gusht 2009, në Durrës, ku mbeti i plagosur edhe i shumëkërkuari.
Dritan Dajti, sipas vendimit të Gjykatës, është përfaqësuar në këtë padi nga Byroja për Mbrojtjen e të Burgosurve. Ky subjekt, në vitin 2011 ka bërë padi në Prokurorinë e Tiranës ndaj oficerit të Policisë me iniciale P.L., duke e akuzuar atë se ka konsumuar veprën penale të Veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Sipas padisë, më 7 gusht 2009, në lagjen 13, Plazh-Durrës, pranë vendit të quajtur pista e vogël Iliria, janë vrarë me armë zjarri punonjësit e Policisë, Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe shtetasi Ledion Mara, si dhe janë plagosur shtetasit Fatjon Shamku e Dritan Dajti. Për këtë ngjarje, Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë ka nisur hetimet e saj në ngarkim të shtetasit Dritan Dajti, duke e akuzuar për kryerjen e veprës penale të vrasjes në rrethana cilësuese të punonjësve të Policisë të lartpërmendur. Për mbrojtjen e tij, i pandehuri Dritan Dajti i është drejtuar Byrosë për Mbrojtjen e të Burgosurve, e cila gjatë shqyrtimit të fashikullit hetimor, ka konstatuar fakte dhe prova komprometuese kundër punonjësit të Policisë P.L. Sipas kallëzimit, rezulton se ky shtetas ka qenë në vendin e ngjarjes dhe menjëherë pas ngjarjes ka hequr nga vendi i ngjarjes armën tip pistoletë të të ndjerit Sajmir Duçkollari. Ky fakt është përshkruar edhe nga prokurori E.Beci, në vendimin e tij dt.08.08.2009 për sekuestrimin e provave materiale, ku citohet shprehimisht se: ky punonjës policie (P.L.) disponon edhe armën e punonjësit të Policisë Sajmir Duçkollari, të cilën deklaron se e ka marrë në vendngjarje, ku është vrarë Sajmir Duçkollari. Në padi pretendohet se polici P.L. nuk ka dorëzuar për ekspertim tekniko-balistik armën e tij, të cilën e dispononte ditën e ngjarjes. Në padi pretendohet se këto veprime kanë minuar tërësisht procesin e hetimit dhe zbardhjen e faktit se cila ka qenë arma e përdorur nga i ndjeri në vendngjarje. Prokuroria e Tiranës shqyrtoi kallëzimin dhe ka konstatuar se procedimi në ngarkim të të pandehurit Dritan Dajti është duke u gjykuar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë dhe nuk ka përfunduar ende gjykimi. Prokuroria pushoi çështjen me argumentin se pretendimet në padi kallëzuesi mund ti ngrejë para Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, e cila do të vendosë për vlefshmërinë dhe përdorshmërinë e provave të marra gjatë hetimit paraprak. Përfaqësuesi i Dritan Dajtit bëri ankim në Gjykatë ndaj vendimit të Prokurorisë, por Gjykata e Shkallës së Parë ka lënë në fuqi vendimin e organit të akuzës. Pas vendimit të Shkallës së Parë, Byroja për Mbrojtjen e të Burgosurve ka bërë padi në Gjykatën e Apelit, por edhe kjo e fundit e ka lënë në fuqi rrëzimin e kallëzimit të bërë nga Dritan Dajti.
Gjykimi
Procesi gjyqësor ndaj Dritan Dajtit te Krimet e Rënda ka hyrë në udhëkryq. Seancat po shtyhen pafundësisht, ndërsa ende nuk është dhënë një vendim përfundimtar, edhe pse vrasja e katër policëve ka ndodhur në gusht 2009. Shkak për shtyrjet e vazhdueshme të procesit është bërë ndryshimi i avokatëve nga ana e Dritan Dajtit dhe po ashtu, pretendimet për parregullsi në proces. Aktualisht, gjykata ka informuar dhomën e avokatëve, Ministrinë e Drejtësisë, Presidentin dhe Kryeministrin për bllokimin e procesit.